Dosje

Trafik klandestinësh nga Shqipëria në Irlandë, roli i 27-vjeçarit azilkërkues dhe mesazhet me babain në telefon

Gazeta Si – Një azilkërkues nga Shqipëria, i cili mori pjesë në një operacion të trafikut të qenieve njerëzore, duke sjellë në Irlandë ilegalisht 12 bashkëkombës, është dënuar me pesë vjet burg.

Ndriçim Qema, 27 vjeç, “abuzoi” me marrëveshjen e Zonës së Përbashkët të Udhëtimit për t’i ndihmuar shqiptarët t’i transferonte në Mbretërinë e Bashkuar, tha gjykatësi Martin Nolan, kur dha vendimin e dënimit të martën.

Qema, me një adresë në Hotel Esplanade, Bray, Co Wicklow, u deklarua fajtor për tre akuza në lidhje me trafikimin e emigrantëve të paligjshëm në Aeroportin e Dublinit në data të ndryshme në vitin 2019.

Mediat irlandeze, shkruajnë se ai gjithashtu u deklarua fajtor në Gjykatën Penale të Qarkut të Dublinit për një akuzë për pastrim parash dhe një për posedim të një instrumenti fals.

Dënimet e mëparshme

Qema ndodhet në paraburgim që prej prillit të vitit të kaluar. Ai ka 29 dënime të mëparshme, kryesisht për vjedhje të alkoolit në dyqane në Irlandë.

Prokurori John Berry BL, i tha gjykatës se ky nuk ishte një rast i trafikimit të qenieve njerëzore që përfshinte shfrytëzimin e njerëzve dhe se shqiptarët që erdhën në Irlandë me ndihmën e Qemës e bënë këtë me dëshirë, me synimin për të gjetur punë në Britani.

Gjykata dëgjoi që Qema erdhi në Irlandë nga Shqipëria si azilkërkues në vitin 2018 dhe jetonte në Direct Provision.

Detektivi Mark Henebry, i tha gjykatës se Qema u arrestua nga autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar në aeroportin e Belfastit në shtator 2019, teksa po tentonte të udhëtonte me dokumentacion fals me një tjetër shqiptar. Më pas, doli që Qema ishte dëbuar nga Britania e Madhe.

Telefoni i tij u gjet në një makinë në parkingun e aeroportit të Belfastit dhe kjo rezultoi të ishte një “informacion i rëndësishëm” në operacionin e kontrabandës së njerëzve, në të cilin ishte përfshirë Qema.

Telefoni përmbante 30 foto të dokumenteve false të identitetit, si dhe mesazhe mes Qemës dhe babait të tij në Shqipëri, i cili mbante një pozicion më të lartë në operacionin e trafikut të klandestinëve, mësoi gjykata.

Mesazhet

Kishte gjithashtu “një mori mesazhesh” mes Qemës dhe njerëzve në Shqipëri që kërkonin të vinin në Irlandë, sipas gjykatës.

Henebry, tha që nuk ishte në gjendje të përcaktonte se sa ishte paguar Qema për person për të kontrabanduar njerëz në Irlandë, por se ai u zbulua se kishte pastruar një total prej 44,000 € në para cash midis vitit 2018 dhe 2020.

Berry i tha gjykatës se në kohën e këtyre veprave, nuk ishte një krim për të lehtësuar lëvizjen e njerëzve nga Irlanda në Britani, por ishte e paligjshme të lehtësohej mbërritja e tyre në Irlandë.

Ai tha se në lidhje me 12 personat e kontrabanduar në vend, “ata të gjithë ndjekin të njëjtin model të kartave të identifikimit false dhe abuzimit të marrëveshjes së zonës së përbashkët të udhëtimit midis Irlandës dhe Britanisë”.

Ndërkohë, dy persona të tjerë janë para gjykatës në lidhje me operacionin e kontrabandës së njerëzve.

Avokati i Qemës, Dean Kelly SC, duke u mbrojtur, tha se klienti i tij nuk ishte  “truri” i trafikut të klandestinëve.

Ai tha se ky nuk ishte një rast që përfshinte “skllavërimin e detyruar” të njerëzve, por një rast i ndihmës së paligjshme të njerëzve që dëshironin të jetonin dhe të punonin në Angli.

Avokati mbrojtës tha se Qema u pagua me një shumë relativisht të vogël parash për pjesën e tij në operacion dhe jetonte gjatë gjithë kësaj periudhe, pa asnjë lloj pasurie.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë