Ka ndodhur

Kapet me drogë në makinë 38-vjeçari, në 2014 qëlloi me armë policinë në Lazarat

Gazeta Si – Një 38 vjeçar me precedentë të mëparshëm penalë, është arrestuar, pasi qarkullonte me lëndë narkotike dhe armë të ftohtë në automjet.

Policia thotë se Florian Shurdhi, i vënë në pranga në Bypass-in e Fierit, dyshohet se ishte pjesë e personave që qëlluan me armë zjarri policinë në aksionin anti-kanabis në qershor 2014 në fshatin Lazarat.

I cilësuar si një person me rrezikshmëri të lartë , ai është akuzuar për veprën penale “Vrasja e punonjësit të Policisë”, mbetur në tentativë.

Po ashtu, 38-vjeçari është dënuar edhe për “Armëmbajtja pa leje”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Vjedhja” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Gjatë kontrollit në automjetin që drejtonte dhe kontrollit të banesës së tij, u sekuestruan doza me lëndë narkotike kokainë, doza me kanabis, fara kanabisi, si dhe 1 thikë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë