Lojëra me Dore

Paradoksi Gjokoviç/ Fitoi në Uimbëlldon, por bie në renditje

Gazeta Si – Novak Gjokoviç, pavarësisht mrekullisë së 7-të në Uimbëlldon, ka humbur 4 pozicione në klasifikimin ATP të publikuar sot. Ai ka zbritur në vend të 7-të. Një paradoks për tenistin serb, që triumfoi në turneun e fundit Slam.

Rusi Danil Medvedev mbetet numri 1 në botë, edhe pse nuk u lejua të luante në barin londinez. Ishte vendimi i organizatorëve të turneut për të përjashtuar tenistët rusë dhe bjellorusë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Novak Gjokoviç me trofeun e fituar në Uimbëlldon. Gazeta Si, 11 korrik 2022

ATP e kundërshtoi këtë vendim dhe më pas vendosi të mos jepte pikë në renditjen botërore, kështu që Gjokoviç ka humbur 2000 pikët, që i kishte fituar vitin e kaluar me fitoren në Uimbëlldon.

Nik Kirgios, i mundur në finale nga Gjokoviç, ka humbur 5 pozicione, duke zbritur në vend të 45-të. Përfituesi kryesor nga mosdhënia e pikëve në Uimbëlldon është Rafael Nadal. Spanjolli humbi gjysmëfinalen për shkak dëmtimi, por në renditje ka fituar një vend. Ai është ngjitur në vend të 3-të.

Klasifikimi i ri ATP, 10-shja më e mirë:
1.Danil Medvedev
2.Aleksander Zverev
3.Rafael Nadal
4.Stefanos Tsitsipas
5.Kasper Rud
6.Karlos Alcaraz
7.Novak Gjokoviç
8.Andrei Rublev
9.Feliks Auger-Aliasime
10.Janik Siner


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë