Gazeta Si – Një foshnjë 6-muajshe ka humbur jetën në mënyrë tragjike në Tiranë për shkak të një zjarri në banesë.
Ngjarja ndodhi pak pas mesnatës në rrugën “Gani Domi” në një banesë private në lagjen “Ali Demi” dhe shkak për këtë dyshohet se ka qenë shpërthimi i një bombole gazi.
Si pasojë humbi jetën foshnja 6-muajshe, ndërsa gjyshja e tij u dëmtua dhe ndodhet në spital. Sipas burimeve paraprake, mësohet se në momentin që ka rënë zjarri, gjyshja ndodhej në bodrum, ndërsa prindërit e foshnjës nuk ishin në shtëpi.
Në momentin që ka shpërthyer bombola, gjyshja ka dalë jashtë duke thirrur banorët e tjerë. Ndërkohë që banesa brenda të cilës ndodhej dhe foshnja është përfshirë e tëra nga flakët.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë hapur murin për t’u futur brenda banesës, pasi dritaret kanë qenë me kangjella.
Ata kanë mundur të nxjerrin jashtë foshnjën, por ky i fundit për shkak të asfiksisë humbi jetën në spital. Sakaq gjyshja e tij, shtetasja J.L., ndodhet në spital në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.
Fqinjët tregojnë se foshnja u nxorr gjallë nga banesa që ishte përfshirë nga flakët, por fatkëqësisht ai ndërroi jetë në spital.
“Kur kam dalë unë, tymi ishte shtëllunga-shtëllunga deri te sheshi ‘Shtraus’. Kur dolëm ne, goca mori urgjent zjarrfikësen. Kur e kanë nxjerrë çunin, po dridhej dhe qante. Fëmija ishte gjallë kur doli. Por kishte vdekur në spital”, tregon një banore e lagjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




