Gazeta Si – Një “shtëpi bari”, ku kultivohej dhe prodhohej lëndë narkotike është zbuluar në Patos gjatë operacionit të koduar policor “Grizë”.
Banesa ndodhet në lagjen “29 Marsi” të qytetit dhe gjatë aksionit u arrestua 66-vjeçari me iniciale S.G. dhe u shpallën në kërkim dy djemtë e tij E.G. 39 vjeç dhe G.G. 26 vjeç.
Policia thotë se këta persona dyshohet se janë të përfshirë në aktivitetin kriminal të kultivimit të kanabisit.
Në këtë banesë u sekuestruan 208 gram heroinë, 17.5 kg kanabis në proces tharje, 1448 fara kanabisi, 3 granata difensive dhe ofensive, 2 armë gjahu pa leje, 391 fishekë luftarak, 3 peshore elektronike dhe 2 pajisje që shërbenin për përpunimin e lëndës narkotike.
Gjithashtu, u asgjësuan bimë të dyshuara narkotike kanabis, që ishin kultivuar në një sipërfaqe toke në afërsi të kësaj banese dhe fidanë të dyshuar kanabis të kultivuar në kubikë.
Gjatë kontrollit në zonë, policia zbuloi edhe një tjetër sipërfaqe toke ku ishte kultivuar kanabis. Kjo tokë është në pronësi të 54-vjeçares me iniciale V.G., e cila u arrestua për veprën penale kultivim i bimëve narkotike.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë” dhe “Mbajtja pa leje e municionit luftarak”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




