Gazeta Si – Një sherr mes dy personave për posedimin e një zone plazhi në fshatin Çepe të Belshit, ka çuar në përdorimin e armëve të zjarrit.
Policia njofton se 37-vjeçari me iniciale D.H., u konfliktua me 29-vjeçarin me iniciale K.C., dhe më pas qëlloi një herë me pistoletë në ajër.
Policia thotë se konflikti ndodhi për motive pronësie. Por sipas burimeve të Gazetasi.al, shprehen se dy personat janë konfliktuar për një plazh në Liqenin e Merhojës.
Dyshohet që Bashkia e Belshit ia ka dhënë të dyja palëve për përdorim, gjë që ka shkaktuar edhe sherrin me armë.
Ndërkohë, 37-vjeçari i dyshuar është larguar dhe shpallur në kërkim nga policia.
Një ditë më parë, dy vëllezër në Vlorë u konfliktuan me njëri-tjetrin për administrimin e një plazhi privat në Radhimë.
Njëri prej tyre qëlloi disa herë me armë ndaj vëllait, në një kohë që kishte turistë të shumtë vendas dhe të huaj.
Për fat të mirë, asnjë nuk u lëndua dhe policia arrestoi pas disa orësh autorin e dyshuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




