Temperaturat e larta mund të shkaktojnë probleme për shëndetin tonë. Mjekët kanë shpjeguar gjithmonë se qëndrimi në diell është i dëmshëm.
Mjekja e përgjithshme Moza Bushi e pyetur nga Gazetasi.al shpjegon se pasojat e vapës rrezikojnë shëndetin tonë dhe simptomat nuk janë të lehta.
Ajo shpjegon se pas qëndrimit në diell, individët e goditur nga vapa mund të përjetojnë marrje mendsh, të vjella, lodhje të përgjithshme. Sipas mjekës nëse këto simptoma nuk qetësohen në kohë mund të kalojnë në rënie të vazhdueshme të tensionit, gjë që kërkon trajtim në spital.
Mjekja shton se të moshuarit dhe fëmijët janë më të rrezikuarit nga simptoma të tilla nëse qëndrojnë për shumë gjatë në diell.
“Të moshuarit nuk duhet të dalin në diell nga ora 10:00 në mëngjes deri pas orës 16:00 pasdite. Nëse janë të detyruar të dalin duhet të përpiqen që të mos rrinë me orë të zgjatura në diell. Gjithashtu duhet të jenë të hidratuar gjithë kohë, të konsumojnë ujë dhe lëngje”, shpjegon më tej Bushi.
Ndërkaq edhe Instituti i Shëndetit Publik, në një postim të fundit në rrjetin social “Facebook” ka shkruar se shenja të tjera të goditjes nga nxehtësia janë;
-Temperatura e lartë e trupit (mbi 40°C).
-Lëkura e thatë dhe e nxehtë.
-Frymëmarrja e vështirësuar.
-Humbja e vetëdijes.
-Mungesa e djersitjes.
Sipas ISHP, nëse tek dikush vërehen simptomat e goditjes nga nxehtësia është e domosdoshme që brenda një kohe sa më të shkurtër t’i ulet temperatura dhe t’i ofrohet ndihma e parë e domosdoshme.
Është e nevojshme:
-Të dërgohet personi në një dhomë të ftohtë ose në hije.
-Të çlirohet nga rrobat e tepërta.
-Të freskohet duke ia larë faqet me ujë të ftohtë, duke e vënë në vende të freskëta dhe të ajrosura.
-Nëse është në gjendje të vetëdijshme t’i jepet të pijë lëngje (pa kafeinë dhe alkool).
Temperaturat pritet të vijojnë me të nxehtit afrikan, përgjatë muajve korrik dhe gusht, kështu qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.