Gazeta Si – Gjykata e Elbasanit ka vendosur të lirojë nga qelia 6 numëruesit e KZAZ nr.50 në Elbasan, të cilët u ndaluan për falsifikim të rezultatit të zgjedhjeve në 25 prill 2021.
Togat e zeza vendosën “detyrim paraqitje” Erald Karriqi, Ylli Kuka, Durim Alla, Erjon Dashi, Mili Vasku, Olgert Alla.
Ndërkohë, Oltion Bajrami, një tjetër numërues i KZAZ në Librazhd është arrestuar, teksa vijon të jetë në kërkim Eduart Zito.
Ata dyshohet se kanë falsifikuar materialet e procesit zgjedhor të zgjedhjeve të 25 prillit.
Sipas prokurorisë, gjatë procesit të këqyrjes së mëpasshme të fletëve të votimit, rezultoi se anëtarët e grupeve të numërimit që kanë numëruar votat për këto qendra, kanë shënuar në tabelën e rezultatit të grupit të numërimit numër më të vogël votash për një apo më shumë kandidatë të subjekteve zgjedhorë dhe numër më të madh votash për një apo më shumë kandidatë të të njëjtit subjekt zgjedhor, krahasuar me numrin real të votave që u gjendën në kutinë e votimit.
Në dy qendra votimi, i janë hequr vota kandidatit Ardjan Zeneli dhe i janë shtuar kandidatit demokrat Lefter Gështenja.
Të 8 personat janë anëtarë të një KZAZ-je, përfaqësues të PD, PS dhe LSI.
Në dëshmitë e tyre të mëparshme, ata kanë deklaruar se nuk kanë pasur qëllim falsifikimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe se veprimet e tyre kanë qenë gabime të shkaktuara nga lodhja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




