Ngjarje

Dështoi protesta e maturantëve, Ministrja Kushi e ‘anulon’ me publikimin e notave të lëndëve me zgjedhje

Protesta e maturantëve nuk u mbajt paraditen e kësaj të hëne. Gjatë gjithë fundjavës maturantët njoftuan nëpër rrjete sociale se do të zhvillonin një protestë përpara Ministrisë së Arsimit në orën 10:00.
Ideja e protestët nisi me përfundimin e provimeve të lëndëve me zgjedhje, ku ankesat kryesonin për lëndën e biologjisë.


Maturantët shkruanin në rrjete sociale se teza kishte vështirësi, që llogaritet me lëndët në universitet. Ndërkohë, shiheshin edhe mesazhe të ndryshme që kishin arritur në rrjetin social Whatsup të Evis Kushit, Ministres së Arsimit dhe Sportit. Gjithashtu nisën dhe pankartat e 'meme-ve'.


Ndërkaq, ministrja reagoi të premten duke ‘qetësuar’ maturantët se do ketë përpikëmëri për vlerësimin e testeve. E kështu duket se dyshimet e maturantëve u shuan këtë të hënë në orën 8:00 të mëngjesit, kur dolën notat e lëndëve me zgjedhje.

Në deklaratën e saj, ministrja Kushi tha se shumica e nxënësve ka shkëlqyer.


Ndërkohë rezultatet treguan se rreth 1144 maturantë kishin marrë notën 4, ndërsa 128 të tjerë kishin marrë notën 10.

Statusi Sali Berishës,kreu i Partisë Demokratike.


Protesta e pa finalizuar e maturantëve u mbështet gjithashtu nga Partia Demokratike.
Sali Berisha, në një reagim në rrjetet sociale, shkroi se ishte në mbështetje të maturantëve.


“Nesër, në ora 10:00, maturantët nisin protestën pa kthim kundër pabesisë Rama-Kushi, të cilët me provimin kurth me pyetje jashtë programit, dëshmuan veten armiq të ëndrrave më të bukura rinore! Mbështetje të plotë maturantëve në betejën e tyre të drejtë”, shkroi Berisha.

Statusi i Luçiano Boçit, deputet i Partisë Demokratike.


Gjithashtu edhe deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boci ka shkruar në rrjetin social “Facebook” se protesta e maturantëve ishte kambana më e fortë për situatën dramatike në të cilën është zhytur vendi.
“Padrejtësia e ngritur në sistem ka prekur dhe brezin ku ëndrra është gjithmonë më e fortë se realiteti. Maturantët kanë vite që nëpërkëmben. Kalvari i tyre në monopatet e një arsimimi aspak cilësor, diskriminues dhe i mangët, përmbyllet me një garë-test mature fiktiv, banal, i metë dhe penalizues”,shkroi Boçi.


Ndërkohë, në orën e paralajmëruar përpara Ministrisë së Arsimit dhe Sportit ishin vetëm 10 maturantë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë