Gazeta Si – Dhjetëra forca policore, të mbështetura edhe nga FNSH, kanë kryer kontrolle në zonën e Divjakës për të parandaluar kultivimin e kanabisit, por pa mundur të zbulojnë asgjë.
Ndërsa në Shkodër, policia ka zbuluar dy parcela me bimë kanabisi në Velipojë, por dy kultivuesit janë larguar.
Një ditë më parë, 80 efektivë policie të Komisariatit të Policisë Divjakë, të DVP Fier dhe të FNSH Fier, kanë ushtruar kontroll masiv në territor.
12 grupet e kontrollit të ngritura në Divjakë kanë kontrolluar 264 sera, minisera, banesa të braktisura, magazina të ndryshme, ambiente të hapura etj.
Policia ka përdorur dron për të verifikuar rastet e dyshimta ku kultivohet kanabis në ambiente të jashtme. Gjatë kontrolleve të territorit, nuk u konstatua ndonjë rast i kultivimit të bimëve narkotike.
Dy persona janë shpallur në kërkim nga policia e Shkodrës pas operacioneve të zhvilluara për kultivimin e kanabisit.
Sipas policisë H.Z, 55 vjeç, banues në fshatin Oblikë kishte mbjellë kanabis në një zonë të pyllëzuar të fshatit Obot si dhe në kërkim u shpall gjithashtu dhe R. P., 38 vjeç, banues në fshatin Pulaj-Plazh Velipojë.
Dronët e përdorur nga policia pikasën lëndën narkotike në mes të zonës së pyllëzuar e cila më pas u asgjësua nga policia me anë të djegies.
Në fshatin Kallmet në pronën e shtetasit Z. G., shërbimet e Policisë kanë gjetur të kultivuara bimë të dyshuara narkotikë canabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.
Policia vuri pranga autorin e dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale dhe po ashtu është proceduar në gjendje të lirë kryetari i fshatit Kallmet me iniciale T.Sh për veprën penale “shpërdorim detyre”.
Po ashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e autorit të dyshuar të kësaj veprimtarie, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pushkë dhe një sasi municioni luftarak.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




