Politike

Meta kthen ligjin dhe kërkon komision të posaçëm parlamentar për Butrintin

Foto e parkut

Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend marrëveshjen që kalon menaxhimin e Parkut të Butrintit te një fondacion i përbashkët i krijuar mes Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit dhe Ministrisë së Kulturës.

Në arsyetimin e dhënë, Presidenca thotë se marrëveshja cenon Kushtetutën, Konventën e Parisit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe nuk është në përputhje me parimet e UNESCO-s. Sipas Presidencës, marrëveshja cenon interesin publik shqiptar dhe kërcënon trashëgiminë kulturore e historike të vendit.

Për këto arsye, Presidenti kërkon që Kuvendi të ngrejë një komision të posaçëm për Parkun e Butrintit, me qëllim sipas tij: respektimin e parimeve kushtetuese dhe vlerave universale; mbrojtjen e trashëgimisë tonë kombëtare nga shtrembërime të çdo lloj natyre; respektimin e Konventës së Parisit dhe parimeve të përcaktuara nga UNESCO; për të garantuar që rendi juridik i normave të legjislacionit shqiptar, është i njëjtë dhe i barabartë për të gjithë dhe askush nuk mund të ketë një trajtim të parapëlqyer nga qeveria nëpërmjet Kuvendit; për të mos lejuar asnjë mundësi që pasuria e shqiptarëve të keqadministrohet dhe pjesët më të rëndësishme të saj që faktojnë gjurmët reale të identitetit ilir dhe shtetit shqiptar të humbasin;

“Lidhur me këtë çështje kaq të rëndësishme, si President i Republikës, vlerësoj se në mbështetje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe nenit 24 të Rregullores së Kuvendit , kjo çështje, hyn pikërisht në llojin e atyre çështjeve të një rëndësie ekstremisht të veçantë, e cila kërkon kujdes të lartë nga organet shtetërore dhe për këtë Kuvendi i Shqipërisë, duhet të miratojë dekretin e Presidentit, dhe të vlerësojë sugjerimin për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar, i cili përmes një procesi të gjerë dhe solid konsultimi e diskutimi, të mund të prodhojë produktin më të mirë, e përmes një dakordësie të gjerë tu ofrojë brezave që vijnë zgjidhjen më të mirë për Parkun Kombëtar të Butrintit dhe gjithë pasuritë të çdo lloji pjesë e tij”, thotë Presidenti.

Meta paralajmëron se rrëzimi i dekretit me forcën e kartonëve nuk do t’i shërbente interesave të vendit.

“Nëse shumica në Kuvendin e Shqipërisë do të zgjedhë siç dhe ka deklaruar publikisht të rrëzojë politikisht dekretin e Presidentit të Republikës, dhe të vijojë me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 50/2022, kjo nuk do t`i shërbente aspak interesave të larta të vendit dhe kombit shqiptar, por do të përkeqësonte çdo marrëdhënie të organeve të shtetit me shoqërinë civile, ekspertët, dhe qytetarët në tërësi”, thotë Meta.

Kuvendi miratoi në seancën e 23 majit marrëveshjen në fjalë, që u kundërshtua nga opozita. Deputetja e PD-së, Ina Zhupa tha se marrëveshja i hapte rrugë ndërtimeve në zonën e mbrojtur.

Po për resorte luksoze dhe vila foli edhe Sali Berisha, që i kërkoi Ilir Metës të mos e dekretonte këtë marrëveshje.

Sipas marrëveshjes së miratuar, Parku i Butrintit do të menaxhohet nga një fondacion, bordi i të cilit përbëhet nga pesë persona, ku Ministria e Kulturës ka dy anëtarë.

Kundër marrëveshjes kanë dalë edhe studiues e arkeologë, që e cilësojnë atë si të rrezikshme për trashëgiminë kulturore e historike të zonës së mbrojtur edhe nga UNESCO.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë