Gazeta Si – Shefi i Stacionit Policor të Velipojës dhe 3 vartës të tij u arrestuan të premte nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.
Zamir Sytari në cilësinë e drejtuesit, Arben Hoxha specialist për hetimin e krimeve në Velipojë, Ergys Lohja dhe Hysni Beqiri si ndihmës specialist kanë lejuar dhe favorizuar, sipas AMP-së, mbjelljen e kanabisit.
Zyrtarisht Agjencia thotë se këta punonjës kanë lejuar kultivimin e lëndës narkotike në zona që kanë pasur mundësi të mbikëqyren e kontrollohen, duke mos ushtruar detyrën në bazë të Planit të Veprimit dhe Planit Operacional të Drejtorisë Vendore të Policisë.
Hetimet që çuan në pranga efektivët janë kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës nëpërmjet përgjimeve dhe vëzhgimeve, si metoda speciale të hetimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




