Nga Gazeta Si – Ish-kryeministri Sali Berisha ka denoncuar se është arrestuar në Itali, Endi Çuçi, djali i ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, si pjesë e grupit kriminal të kontrabandës së ilaçeve dhe falsifikimit të recetave.
Ai ka publikuar edhe dokumentet që verifikon arrestimin e djalit të ministrit të Brendshëm. Ndër të tjera, Berisha shprehet se po bëhen ndërhyrje të fuqishme për lirimin e tij.
Pas këtij lajmi, ka reaguar e ëma e Endi Çuçit, Zhaklina Peto.
Ish-kandidatja për Gjykatën Kushtetuese ka hedhur poshtë akuzat duke thënë se ato janë të pavërteta dhe të shëmtuara. Në një reagim në Facebook, Peto pranon në njëfarë mënyre përmendjen e emrit në një hetim të drejtësisë italiane, por thekson as ajo dhe as i biri nuk kanë probleme me drejtësinë italiane, ndërsa ka kërkuar që të mos hidhet baltë mbi të birin.
“Që në fillim dua t’ju sqaroj se as unë dhe as djali im nuk kemi probleme me drejtësinë italiane pavarësisht përmendjes në mënyrë rastësore në një hetim të drejtësisë italiane që s’ka të bëjë fare me ne. Kjo është e cilësuar fare qartë edhe në fashikullin e hetimit të cilin e keni bashkëlidhur dhe po e citoj:
…’Në shqyrtimin e fakteve që lidhet me paragrafin në fjalë, bëjmë me dije që në fillim se elementet që kemi në dispozicion na ndalojnë, aktualisht, që të përcaktojmë ndonjë veprim me rendësi penale, në ngarkim të disa prej personave të përmendur (SOTIRI ROMEO, PETO ZHAKLINA, XHABAFTI SOKOL dhe CUCI ENDI), duke qenë se nga aktet e hetimit nuk figuron asnjë element që t’i lërë vend ngritjes së akuzave në të ardhmen’…
Unë kam qenë në Itali për t’u kujdesur për nënën time të sëmurë gjatë vitit 2021, e cila fatkeqësisht ndërroi jetë në 3 Maj 2021 në Itali. Në datën 4 Maj 2021 im bir erdhi në Itali dhe së bashku u kthyem në Shqipëri për t’i bërë nënës nderimet e fundit”, shkruan ajo në Facebook.
Ndër të tjera, ajo thotë se “askush nuk ka të drejtë që për qëllime tërësisht politike të na linçojë dhe dënojë publikisht”.
Endi Çuçi është djali i Bledi Çuçit nga martesa e tij e parë me Zhaklina Peton.
Gjatë aksionit të përbashkët mes SPAK-ut dhe Drejtorisë së Antimafias së Milanos u vunë në pranga 9 persona dhe nën hetim 82 të tjerë. Ata akuzohen për mashtrim ndaj sistemit kombëtar shëndetësor italian, korrupsionit dhe trafikut të barnave me përmbajtje narkotike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




