Politike

Nga Shkodra e Gjirokastra si bashki ekselente tek ato në prag falimentimi si Kavaja e Belshi, qeveria bën skanerin

Në mbledhjen me kryetarët e bashkive drejtuar nga kryeministri Edi Rama, Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi tha se ka realitete të ndryshme nga bashkia në bashki sa i takon menaxhimit.

Ai theksoi se ka modele bashkish që kanë arritur ta zerojnë borxhin e trashëguar nga pala tjetër por disa të tjera janë në prag të falimentimit.

“Kemi krijuar modele të suksesshme të funksionimit të bashkive. Sot bashkitë mbledhin më shumë të ardhura nga taksat vendore dhe kanë më shumë transferta nga qeveria dhe rritje të transfertës së pakushtëzuar nga buxheti i shtetit.

Transferta është rritur në mënyrë progresive pas miratimit të ligjit të financave vendore. Në vitin 2021 transferta ka shkuar 18 miliardë lekë. Është rritur me 124% shuma që kanë grumbulluar bashkitë nga të ardhurat e veta krahasuar me vitin 2015.

Por decentralizimi është një proces me dy kahe. Kërkohet ndërgjegjësim dhe përgjegjshmëri në rritje. Këtu realitetet janë krejtësisht të ndryshme. Sot kam kënaqësinë të shpreh vullnetin e qeverisë për të vazhduar reformën e decentralizimit. Por ky nuk është qëllim por mënyrë partneriteti që ka për qëllim final shërbime më të mira ndaj qytetarëve.

Kemi realitete të ndryshme nga bashkia në bashki, Mund të marr rastin e borxheve që kanë trashëguar dhe për fat të keq disa bashki vazhdojnë dhe e thellojnë. Kemi modele bashkish që kanë arritur ta zerojnë borxhin dhe kemi bashki që janë në prag të falimentimit”, u shpreh Çuçi.

Ai nuk përmendi se cilat bashki por ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj po.

Sipas saj, të gjitha bashkitë e vendit do duhet të dorëzojnë pranë Ministrisë së Financave një plan të detajuar për daljen nga kriza, deri më 15 korrik të 2022.

“Brenda 15 korriku, çdo bashki duhet të dorëzojë një plan të detajuar për daljen nga kriza. Për bashkitë me vështirësi serioze financiare, plani do të bëhet nga Ministria e Financave. Nga viti 2020 në 2021 kemi pasur një rritje të performancës. Vlora, Poliçani, Korça, Kurbini e Tepelena e kanë reduktuar me 10% performancën e tyre financiare, duke kaluar nga zona portokalli në zonën jeshile, pra pa probleme financiare. Por, kemi bashkitë Vorë e Kavajë, që vijon të jetë me probleme financiare. Janë tre bashki, që kanë përkeqësuar situatën financiare, si bashkia Cërrik, Belsh dhe Malësi e Madhe. Ekselente në menaxhimin e financave janë bashkitë Gjirokastër, Patos, Këlcyrë, Shkodër e Korçë. Përgëzoj bashkinë Elbasan dhe Tiranë, që e kanë stokun e detyrimeve të prapambetura nën 5% të shpenzimeve të tyre”, tha Ibrahimaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë