Ka ndodhur

Tiranë, gjenden të pajetë 2 të rinj në makinën e fundosur në rezervuarin e Çekrezës

Gazeta Si – Një djalë dhe një vajzë kanë humbur jetën, pasi automjeti me të cilin po udhëtonin është fundosur në rezervuarin e Çekrezës në Kamzë.

Bëhet e ditur se viktimat janë Erjon Muça, 22 vjeç, dhe Dorina Gjokgjinak, 20 vjeçe. Viktimat janë banorë të zonës dhe dyshimet e para sipas informacioneve, janë se ngjarja është aksidentale.

Trupat e tyre janë nxjerrë nga automjeti i mbytur në ujë nga forcat e RENEA-s dhe policia, e cila u njoftua nga roja e një objekti aty pranë.

Në sediljen e shoferit dhe të pasagjerit, polumbarët gjetën 22-vjeçarin dhe 20-vjeçaren të pajetë. Sipas hetimeve të para, automjeti ka ardhur nga një rrugë e pashtruar, e cila ndodhet në buzë të rezervuarit të Çekrezës.

Kur shkoi në cep të rrugës, shoferi dyshohet se humbi kontrollin, u përplas me një pemë, mjeti u batua disa herë dhe në fund përfundoi në liqen. U desh ndërhyrja e polumbarëve për të nxjerrë trupat e pajetë të viktimave dhe makinën.

Rruga pranë rezervuarit është mjaft e vështirë për drejtuesit e mjeteve dhe nuk frekuentohet shumë nga banorët e zonës, ku natën mungon ndriçimi.

Dyshohet që aksidenti të ketë ndodhur si shkak i humbjes së kontrollit të mjetit nga ana e 22-vjeçarit Muça.

Muça ishte banor i një prej fshatrave të zonës përreth rezervuarit të Çekrezës, ndërsa Gjokgjinaj rezulton se është me origjinë nga Lezha. Nuk dihet nga ana e policisë lidhja mes tyre.

Në vendin e ngjarjes mbërritën familjarët që identifikuan viktimat. Ata do të merren në pyetje për kontaktet e fundit që kanë pasur me fëmijët për të përcaktuar edhe orarin ku dyshohet të kenë rënë në rezervuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë