Gazeta Si – Ata sillnin të rinj me vizë turistike nga Shqipëria për t’i punësuar më pas si shpërndarës droge dhe në përfundim të 90 ditëve të lejes së qëndrimit, i zëvendësonin me të tjerë.
Me të mbërritur në Itali, i kanë furnizuar me drogë, duke u dhënë gjithashtu një shtëpi dhe makinë si dhe celularë me të gjitha kontaktet e blerësve.
Telefonat ishin një provë e rëndësishme për autoritetet policore mes të rinjve që mbërritën në Itali dhe u kthyen në Shqipëri.
Operacioni për të goditur një bandë kriminale italo-shqiptare, nisi në të gdhirë të së shtunës, ku 6 persona përfunduan në burg, ndërsa pesë në “arrest shtëpie”.
Në pranga ranë anëtarët e një organizate që ushtronte biznes të paligjshëm me lëndë narkotike, veçanërisht hashash dhe kokainë, për krime si tregti, transport, shitje, transferim dhe posedim me qëllim tregtimin e drogës.



Hetimet e nisura prej më shumë se një viti pas dy arrestimeve për trafik droge në Montepulciano dhe të kryera me përgjime mjedisore dhe telefonike, konstatuan se organizata, ku përfshiheshin edhe dy gra me origjinë italiane dhe shqiptare, menaxhonte shpërndarësit në jug të Sienës dhe në provincat e Arexos dhe Peruxhias.
Gjatë kontrolleve u gjetën dhe sekuestruan para cash për rreth 50 mijë euro, krahas sekuestrimit të 150 gramë hashash dhe disa gramë kokainë.
Tre makina dhe një mjet lundrues katër metra i janë nënshtruar sekuestrimit parandalues.
Arrestimet u kryen në zona të ndryshme të Valdichiana. Përveç kësaj, ka pasur kontrolle në shtëpi të pesë personave të tjerë.
Mediat italiane shkruajnë se shpërndarësit shqiptarë që vinin si turistë, rekrutoheshin nga Shqipëria në Itali dhe me rotacion të shpeshtë për të devijuar çdo aktivitet hetimor.
Për hetuesit italianë, kjo është një strategji e re e trafikantëve, duke u përballur për herë të parë me këtë sfidë.
Përdorimi i vizës turistike me vendet e Bashkimit Europian, konkretisht me Italinë, duket se ka funksionuar si një gjetje për shpërndarjhen e lëndëve narkotike pa rënë në sy.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



