Nga Gazeta Si – Në kuadër të operacionit policor të koduar “Perimetri” është goditur një tjetër rast i aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt shpërblimit.
Në pranga kanë rënë 3 qytetarë, të cilët po i jepnin ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit 11 emigrantëve të paligjshëm. Konkretisht, në prangat e policisë kanë rënë 40-vjeçari me iniciale A.Xh, 24-vjeçari me iniciale A.M. dhe 23-vjeçari me iniciale D.M., që të 3 banues në Korçë.
“Në bazë të informacioneve se këto 3 qytetarë do të transportonin emigrantë të paligjshëm, me 2 automjete, Policia në afërsi të fshatit Burimas, Maliq, ka ndaluar mjetin tip ‘Benz’ me drejtues 40-vjeçarin me iniciale A. Xh. dhe mjetin tip “Opel” me drejtues 24-vjeçarin me iniciale A. M. dhe pasagjer 23-vjeçarin me iniciale D.M. Në këto automjete ishin pasagjerë 11 emigrantë të paligjshëm, të cilët po transportoheshin në drejtim të Tiranës, kundrejt shpërblimit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë, vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të tjerë të përfshirë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




