Nga Gazeta Si – Policia e Sarandës ka zbardhur dhe dokumentuar ngjarjen e ndodhur mëngjesin e së hënës në qendër të qytetit jugor, ku u dogj zyra e noterit të njohur, Aleko Anagnosti.
Policia bën me dije se ka arrestuar autorin e ngjarjes, 41-vjeçarin M. S., i cili rezulton me precedent të mëparshëm kriminal për shkatërrim të pronës me eksploziv dhe për zjarrvënie.
“Në kuadër të operacionit policor të koduar “Flames”, në kuadër të të cilit u vu në pranga shtetasi:
– M. S., 41 vjeç, banues në Sarandë, për veprën penale ‘Shkatërrimi i pronës me zjarr’, i dënuar me parë për shkatërrim të pronës me eksploziv dhe për zjarrvënie”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia thotë se nga veprimet hetimore dyshohet se 41-vjeçari ka vënë zjarr në zyrën noteriale të Aleko Anagnostit në qytetin e Sarandës. Për pasojë janë djegur një pjesë e dokumentacionit (arkivës) që mbahej nga noteri në ambientet e zyrës.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar veshmbathje dhe sasi benzine që dyshohet se janë përdorur nga 41-vjeçari, gjatë kësaj ngjarjeje.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


