Politike

Rama u përgjigjet kritikave për zjarrin në Sazan: Shqipo të llafeve

foto e kryeministrit

Kryeministri Edi Rama thotë se përgjigja e autoriteteve shqiptare ndaj vatrave të zjarrit në Sazan nuk është as më shumë dhe as më pak se përgjigjet që u japin vende më të zhvilluara këtyre krizave.

“Sa për ata që nuk kanë sy të shohin çfarë ndodh njëkohësisht, sot që flasim, rrotull Athinës apo çfarë ndodh kudo tjetër në kushtet e zjarreve, nga Turqia e deri në Spanjë, po hidhen përpjetë duke kërkuar helikoptera me kova uji biblik e me shkopinj magjikë, nuk kemi asgjë për të thënë! Janë të njëjtët shqipo, që në tërë historinë e këtij vendi, kanë bërë fiks të njëjtën gjë, llafe, llafe, llafe…”, shkroi Rama.

Reagimi i Kryeministrit mbërriti pas akuzave se përse nuk po përdor ushtria helikopterët Cougar. Ministria e Mbrojtjes më herët tha se një pjesë e këtyre helikopterëve janë për shërbime mirëmbajtjeje jashtë vendit.

Ishulli i Sazanit është përfshirë prej tre ditësh nga vatra të mëdha flakësh, ndërsa dëgjohen herë pas herë shpërthime të fuqishme të municioneve që kanë mbetur në ishull pas vitit 1997.

Autoritetet aktualisht kanë bllokuar udhëtimin e turistëve drejt këtij ishulli, ndërsa edhe trageteve të mallrave dhe transportit të pasagjerëve u është kërkuar që të mos kalojnë pranë ishullit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë