Gazeta Si – Çifti Tom dhe Mri Tinaj nga Vermoshi, kanë përjetuar një nga momentet më të vështira në jetën e tyre.
Pak pas mesnatës së 2 qershorit, disa persona kanë hyrë në shtëpinë e tyre dhe pasi u dhunuan, autorët i kanë marrë marrë gjithçka që kishin nga pasuria e tyre.
Të moshuarit jetonin të vetëm, pasi fëmijët i kanë në Amerikë, ndërsa banesën e kishin kthyer në bujtinë për të pritur turistët.
Mrija, 58 vjeçe, tregon se janë maakruar nga grabitësit, të cilët i kanë goditur edhe me levë në kokë.
Pasi kanë marrë mbi 30 mijë euro, sende me vlera dhe makinën në oborr, ata e lidhën çiftin para e të largoheshin.
“Rreth orës 1 të natës, hajdutët ishin pas xhamit, krisi diçka dhe u ngrita, ata hynë me një automatik në dorë e me leva, ishin dy vetë. Na thanë mos lëvizni, unë u mundova të ngrihesha e të dilja jashtë e të mos dorëzohem. Burrin e lidhën direkt, ndërsa unë u mundova të qëndroj”, – tregon gruaja e dhunuar.
Ajo thotë se autorët ishin të maskuar dhe me doreza dhe gjëja e parë që kërkuan ishin paratë.

“I dha burri disa lekë që kishim shitur prodhimet tona, pastaj morën çdo gjë ari që kishim, na lidhën na masakruan, më goditën me levë në kokë, na lanë lidhur e na morën çelësat e makinës që na kanë sjellë fëmijët nga Amerika. Kemi pasur lekë, se kemi shitur dy makinat e fëmijëve. Kishim paratë e pensionit që tre vite që I ruanim të bënim punime. Na morën të gjithë paratë, gjërat e arit, telefonat”, – shton ajo.
Më pas, e zonja e shtëpisë rrëfen momentin që kanë arritur të dalin nga shtëpia, pasi aytorët i lidhën me litarë.
“Kam dalë vetë e lidhur këmbësh e duarsh, kam shkuar duke u zvarritur deri në kuzhinë, i kam zgjidhur këmbët burrit, se vetes nuk arrita. Më pas burri shkoi tek komshiu. Qëndruam të lidhur rreth një orë e gjysmë, dy. Na lanë të lidhur e a mbyllën brenda, morën çdo gjë që kishim dhe kur iku, njëri tha për mua që nuk e kam të gjatë…”.
Nëna e katër djemve që ndodhen në emigracion, tha se policia është nisur direkt në vendngjarje pas njoftimit.
“Ka hasur në makinën e aksidentuar tonën, sepse ata i kanë grabitur dikujt tjetër një makinë. Kanë ardhur deri në një farë vendi ku kanë parë policinë e kanë ikur”.
Mrija thotë se grabitësit flisnin në dialektin verior, “por nuk i njoha fare, nuk mendoj që janë të zonës. Nuk kam arritur të kuptoj asgjë, sa tentova t’i heq maskën më goditën me levë kokës”.
Edhe bashkëshorti i 58-vjeçares ka mbetur i lënduar, por jo aq sa gruaja e tij. Shtëpia ka pasur kamera sigurie, por ato nuk ishin montuar ende nga të zotët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




