Gazeta Si - Orges Bilbili, i dënuar me burg përjetë nga Gjykata e Posaçme për vrasjen e dyfishtë në Lushnje, i është drejtuar Apelit me kërkesë për pafajësi.
Në apelimin e dorëzuar në Apel, avokati Detar Hysi pretendon se dënimi i Bilbilit është bërë në mungesë të provave shkencore dhe me prova të manipuluara në kundërshtim me ligjin.
Bilbili dhe Anterio Kaloshi u gjetën fajtorë nga Gjykata për vrasjen Zamir Latifit, Jurgen Hoxhës dhe plagosjen e dy personave të tjerë në Lushnjë në 2017-ën, në bazë të disa pamjeve filmike dhe dëshmive të të afërmve të viktimave.
Ndërkohë ai mori pafajësi për dyshimet se ishte përfshirë në atentatin ndaj nipit të Aldo Bares, Xhulio Shkurtit.
Orges Bilbili u arrestua në datë 10 dhjetor 2020 gjatë një përplasje me armë me një efektiv në Tiranë.
Ai u ndalua nga policia dhe iu kërkuar leja që kishte marrë për të dalë nga banesa në kuadër të masave për koronavirusin, por ky i fundit ka refuzuar, ndërsa pas pak sekondash ka dashur të largohet pa dhënë sqarime.
Ai është ndjekur nga një polic, ndërsa ka nxjerrë nga çanta një pistoletë, por që efektivi e ka pikasur në kohë e për këtë pas paralajmërimit për të ulur armën, e ka qëlluar.
Fatkeqësisht e plagosur ka mbetur një qytetare që po kalonte pranë nga efektivi i policisë.
Në momentin kur u arrestua, Bilbili rezultonte person i shpallur në kërkim nga policia për vrasje dhe disa vepra të tjera penale në Lushnjë.
Ai ishte gjithashtu i dënuar dhe me 7 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale ”Trafikim i narkotikëve”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.