Ka ndodhur

Braktis furgonin në Himarë me 33 emigrantë, por kapet pas disa orësh në Laprakë

Gazeta Si – Një 27 vjeçar nga Tirana është arrestuar, pasi në makinë po transportonte 33 emigrantë të paligjshëm.

I riu lokalizua në dalje të Bypass-it në Himarë pas informacioneve që policia kishte siguruar në rrugë operative.

Policia tha se i kishte bërë shenjë për të ndaluar shtetasit K.M., i cili drejtonte automjetin tip furgon.

Por 27-vjeçari nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar dhe është larguar me shpejtësi.

Menjëherë, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të automjetit që drejtohej nga 27-vjeçari dhe kanë evidentuar disa metra më tutje, automjetin tip furgon, të braktisur.

Gjatë kontrollit në automjet, policia gjeti 33 emigrantë të paligjshëm nga vendet e Lindjes së Mesme, të cilët ky shtetas po i transportonte kundrejt fitimit.

Pas disa orësh nga braktisja e automjetit, në Laprakë, Policia e Tiranës ka mundur të ndalojë të dyshuarin.

Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik të tij iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi e dyshuar lënde narkotike e llojit kokainë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë