Drejtësia

Pushohet çështja, vëllezërve Marku iu hiqet sekuestroja ndaj 5 milionë eurove

Gazeta Si - Gjykata e Tiranës ka vendosur pushimin e çështjes për sekuestrimin e pasurisë prej 5 milionë eurosh të dy vëllezërve, Sokol dhe Elson Marku.

Në gjykatën penale të Tiranës u zhvillua seanca paraprake të premten nëse çështja do kalonte ose jo për gjykim.

Por përveç rrëzimit të kërkesës së prokurorisë, gjykata vendosi edhe pushimin e hetimeve për këtë çështje, duke urdhëruar heqjen nga sekuestro, të pasurive të familjes Marku.

Sipas prokurorisë, dyshohej se vëllezërit janë të përfshirë në aktivitet kriminal në trafikimin e lëndëve narkotike.

Vëllezërit Marku u hetuan për trafik droge, pastrim parash, dhënie të parave me fajde dhe tregti makinash.

Më herët, në kuadër të operacionit të koduar “Vëllazëria”, u ekzekutua kërkesa e Prokurorisë për sekuestrimin e pasurive të dy vëllezërve pas një hetimi të filluar në vitin 2019.

Gjatë operacionit u vendos sekuestro për 18 automjete, 3 sipërfaqe toke, 2 apartamente, 2 ndërtesa banimi, 2 ambiente bar-kafeje, 1 ndërtesë trekatëshe, me një vlerë të përafërt rreth 5 milion euro.

Në janar të këtij viti, njëri prej vëllezërve, si dhe një prej protestuesve të banorëve të '5 Majit', Elson Marku, kërcënoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Marku, i kthyer edhe në subjekt të OFL-së, iu bëri thirrje banorëve që kanë armë të fshehura në shtëpi dhe acid, që t'ia hidhnin në sy kryebashkiaku.

Për këto deklarata, ai u shoqërua në polici dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë