Gazeta Si – Temperaturat e larta të ditëve të fundit, ia kanë lënë vendin reshjeve të shiut këtë të diel, të cilat kanë përfshirë thuajse të gjithë vendin.
Moti i keq ka shkaktuar probleme me qarkullimin në disa akse të vendit, duke sjellë problematikat e para.
Stuhia e shiut dhe breshëri kanë goditur qarkun e Korçës, kryesisht fshtrat e Bashkisë së Maliqit.
Si pasojë e këtyre shtërngatave lokale, ka pasur dëmtime në dru-frutorë, sera e të mbjella.






Dëmet me të mëdha janë shkaktuar në fshatin Pendavinj, Rov dhe Rrëmbec e një pjesë të tokave të fshatit Pojan dhe Kreshpanj.
Bashkia ka ngritur një grup pune për të verifikuar dëmet dhe informacioni i detajuar do i dërgohet drejtorisë rajonale të bujqësisë Korçë, me qëllim dëmshpërblimin e fermerëve nga dëmet e shkaktuara.

Ndërkohë, era e fortë ka rrëzuar një pemë në afërsi të fshatit Bulgarec, përgjatë aksit nacional Korçë-Pogradec.
Për pasojë, është bllokuar kalimi i mjeteve në njërin sens të rrugës. Pritet ndërhyrja e mjeteve të bashkisë për heqjen e pemës nga rruga nacionale dhe normalizimin e qarkullimit.
Edhe në qytetin e Elbasanit, si pasojë e rebeshit të shiut është thyer një pemë dhe ajo ka bllokuar rrugën pranë Urës së Zaranikës.
Në Librazhd, një makinë si pasojë e rrugës së rrëshkitshme, ka humbur kontrollin dhe është përmbysur. Drejtuesi i mjetit nuk ka pësuar dëmtime serioze.

Qarku i Lezhës është përfshirë nga stuhi me reshje të dendura shiu të cilat kanë krijuar probleme në disa zona.
Në qytetin e Lezhës uji ka vërshuar në rruge dhe lagje si dhe në disa biznese.
Situata më problematike është krijuar në bulevardin Gjergj Fishta, rrugët pranë shkollave dhe bllokun e banimit “11 Janari”.
Niveli i ujit ka arritur në disa centimetër, duke vështirësuar lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve.
Reshjet e dendura të shiut kanë krijuar probleme dhe në Kurbin.
Për rrjedhoje vërshimi i ujit ka bllokuar lëvizjen e automjeteve të vegla në nënkalimi në Fushë – Mamurras.
Një pjesë e automjeteve detyrohen të kthejnë për të ndjekur rrugë alternative, nga bllokimi i nënkalimit në aksin e autostradës Milot- Thumanë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



