Gazeta Si - Dy vëllezër të moshës 10 dhe 14 vjeç, respektivisht K.T., dhe M.T., janë mbytur në liqenin e Prushit në Tiranë, në Vaqarr të Ri mbrëmjen e të premtes rreth orës 18:05.
Në vendngjarje mbërritën polumbarët e RENEA-s, të cilët pas 2 orë kërkimesh bënë të mundur gjetjen dhe nxjerrjen e trupave të pajetë të dy të miturve.
Mësohet se kanë qenë një grup prej 6 fëmijësh, të cilët kanë shkuar që të lahen në liqen, duke bërë edhe lojëra mes tyre.
Dy fëmijët e familjes Taku nga Vaqarri, po luanin një lojë me litar, të cilin e kishin lidhur në një pishë buzë liqenit dhe më pas hidheshin me të në ujë.
Mësohet se më i vogli nga vëllezërit, ka rrezikuar të mbytet dhe në ndihmë ka shkuar vëllai i madh, por fatkeqësisht asnjë prej tyre nuk ka mundur të dalë i gjallë nga uji.
Pasi fëmijët e tjerë vunë re mungesën e shokëve të tyre, njoftuan familjarët, të cilët dhanë menjëherë alarmin te autoritetet përkatëse.
Fillimisht u gjet vetëm njëri nga trupat, por pak minuta më vonë, u bë e mundur edhe gjetja e trupit tjetër.
Liqeni është më shumë se tre metra i thellë, por nuk ka pasur më parë asnjë ngjarje të kësaj natyre. Çdo ditë fëmijët e zonës shkojnë atje për t’u larë, kryesisht pas ngritjes së temperaturave në verë.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.