30 persona janë paraqitur për mjekim në Spitalin e Traumës si pasojë e dhunës së shpërthyer mbrëmjen e së martës në rrugët e Tiranës.
20 prej të lënduarve janë efektivë të Policisë së Shtetit, që u përballën me tifozeritë e Romës dhe të Fejnordit, ndërsa 10 të tjerë janë tifozë të të dyja skuadrave. Njëri prej efektivëve është goditur me thikë, ndërsa 19 të tjerët kanë marrë lëndime prej goditjeve me sende të forta.
Policia njoftoi se ka shoqëruar në komisariate 60 tifozë, 48 italianë dhe 12 holandezë, si dhe ka dëbuar me një traget në drejtim të Italisë 80 tifozë të tjerë të Romës.
Shërbimet e Policisë kanë tentuar t’i ndalojnë në rrugën “Mustafa Matohiti”, ku tifozët e skuadrës Fejnord, në mënyrë të dhunshme kanë goditur punonjësit e Policisë me shishe qelqi, shkopinj, gurë dhe sende të tjera të forta.
Më pas, një grup tjetër tifozësh, të skuadrës së Romës, kanë lëvizur në drejtim të urës së Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku dhe atje janë përplasur me shërbimet e Policisë duke përdorur gurë, shishe e shkopinj.
Tjetër përplasje u raportua vonë afër pranë vendit të njohur si Pallati me Shigjeta.
Më herët, një shtetas shqiptar u rrah brutalisht nga tifozët e Fejnordit pas një incidenti në një kafe në zonën e “9 katësheve”.
Zv.Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Albert Dervishi, tha se tifozët e të dyja skuadrave finaliste, fillimisht kanë tentuar të konfliktohen së bashku dhe më pas janë konfliktuar me policinë.
Dervishi theksoi se janë shoqëruar 60 tifozë problematikë nga të dyja skuadrat, 48 italianë dhe 12 holandezë dhe janë sekuestruar leva, gurë, thika, lëndë piroteknike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



