Ka ndodhur

Kakavijë, në pranga austriaku me pajisje kultivimi dhe 190 mijë fara kanabisi

Gazeta Si - Rreth 190.000 fara të dyshuara kanabis sativa dhe materiale që nevojiten për ngritjen e një laboratori të rritjes së bimëve narkotike janë sekuestruar në një makinë në pikën kufitare të Kakavijës.

Ato ishin në zotërim të një shtetasi të huaj në përpjekje për t’i nxjerrë nga Shqipëria drejt Greqisë.

Në pranga përfundoi drejtuesi i mjetit, 56-vjeçari austriak, Wolfgang Sandmair.

Në mjetin e drejtuar prej tij, veç farës së kanabisit policia zbuloi dhe 57 gramë lëndë narkotike të tharë dhe 250 ml vaj i dyshuar cannabis sativa.

Po ashtu një bimë e dyshuar narkotike të kultivuar në vazo, dhe pajisje të tjera që përdoren për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura dhe 4995 euro.

Nga hetimet paraprake rezulton se ky shtetas do t’i trafikonte këto sende të kundërligjshme për në ishullin Samos, në Greqi ku siç duket do të tentohej të ngrihej një "shtëpi bari" për sezonin turistik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë