Ka ndodhur

Emigrantë të paligjshëm nga Tirana në Gjirokastër, arrestohen 3 persona

Gazeta Si – Në dy aksione të ndryshme të koduara “Camouflage 5” dhe “Hostel” është goditur aktiviteti i paligjshëm i transportit të tyre dhe dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në aksionin “Camouflage 5” u arrestua Artan Frroku 40 vjeç dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij A.L. 24 vjeç.

Këta persona, thotë policia, kryenin transportin e emigrantëve të paligjshëm nga Devolli në Tiranë kundrejt pagesës.

Më pas, pasi i strehonin emigrantët e paligjshëm në Tiranë, me ndihmën e personave të tjerë, dhe kryenin transportin e tyre drejt Kukësit, me qëllim kalimin në Kosovë dhe më pas në vendet e BE-së.

40-vjeçari u kap në flagrancë duke ndihmuar 5 emigrantë për të kaluar në mënyrë të paligjshme.

Ndërsa në operacionin “Hostel”, u arrestua V.K., 59 vjeçe, për veprat penale ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit dhe fshehje e të ardhurave.

Në hotelin që administronte në Laprakë, gruaja kishte strehuar 9 emigrantë që kishin hyrë në mënyrë ilegale në Shqipëri, të cilëve kundrejt shpërblimit monetar, iu kishte premtuar dhënien ndihmë për transportimin e tyre, drejt pikave të kalimit kufitar.

Të 14 emigrantët e paligjshëm që u kapën në dy aksionet janë proceduar penalisht nga policia.

Ndërkohë, një 36-vjeçar që transportonte emigrantë të paligjshëm është arrestuar nga policia. L.D. 36 vjeç nga Peshkopia, u kap në aksin Tepelenë-Memaliaj duke transportuar me makinën e tij tip Ford 4 emigrantë të paligjshëm nga vendet e Lindjes së Mesme.

Ai u arrestua nga Policia e Gjirokastrës dhe akuzohet për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufijve.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, një celular dhe një shumë parash që dyshohet se është përfituar nga kjo veprimtari kriminale. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë