Nga Gazeta Si – Marina Abramoviç “rrëshqet” në jetën e Maria Kalas, hyn në dhomën e saj të gjumit, thith ajrin e Parisit, duke dëgjuar zërin e saj për herë të fundit. “Jam e fiksuar pas Kalas, e zbulova zërin e saj kur isha 14 vjeç, radio ishte gjithmonë ndezur në shtëpinë e gjyshes sime, e dëgjova atë zë dhe fillova të qaja, nuk dija asgjë për të”.
Marina “imiton” Marian. Në mënyrën e saj, natyrisht. Dhe e bën, mbretëresha e artit të trupit: “Në spektakël jam Maria Kalas, i ngjaj fizikisht, jemi të ngjashme në atë që arti i përgjigjet jetës, kemi pasur nëna të forta që na kanë vjedhur fëmijërinë, jemi Shigjetari. Jam e magjepsur nga jeta e saj, por edhe nga vdekja e saj”.
“7 Deaths of Maria Callas” është performanca operistike që Marina Abramoviç sjell nesër në San Carlo të Napolit, Itali, pas debutimit në Mynih dhe qytete të tjera europiane. Në ekran, Willem Dafoe mishëron “me intensitet burrat në jetën e Kalas, një lloj djalli”. Në autobiografinë e saj, Abramoviç shkruan se “burri që e vret çdo herë në skenë është gjithmonë i njëjti, Aristoteli Onassis”.
Por këtu nuk ka asnjë gjurmë të tij, “këto janë gjëra që ne të gjithë i dimë. Unë rindërtoj skenat e vdekjes nga shtatë vepra. Dhe unë do të vdes nga tuberkulozi, nga çmenduria, me thikë, e mbytur, duke bërë vetëvrasje, duke u hedhur në boshllëk, e djegur në zjarr… Ajo vdiq nga dashuria, nga një zemër e thyer, si gratë që këndonin”.
Këtu ajo është në momentet e fundit të jetës së saj, ku “lidhja” mes jetës së saj dhe fatit tragjik të heroinave që Maria këndoi, interpretuar në skenë nga shtatë zëra të famshëm, Kristine Opolais (Cio-Cio San), Jessica Pratt (Lucia) materializohet, Nino Machaidze (Desdemona), Annalisa Stroppa (Carmen), Valeria Sepe (Tosca), Selene Zanetti (Violetta) dhe Roberta Mantegna, e cila do të jetë Norma, personazhi që shpreh thelbin e legjendës së Callas: disiplinë, sakrificë, priftëreshë: “Jam këtu dhe jam me detyrë”.
Marina Abramoviç (bashkautorja e tekstit) ndodhet në dhomën e gjumit të shtëpisë pariziane të Maria, Avenue Mandel 36, “të cilën e riprodhuam me çdo detaj, siç ishte, telefonin, pikturat, pilulat në komodinën e shtratit. Do të shtrihem në shtratin e saj, do të shikoj fotot që kishte në dhomë, do të hap dritaren… Në historinë e momenteve të fundit, të gjithë kanë të vërtetën e tyre, ajo ishte duke ngrënë mëngjes, u rrëzua në dysheme, por nuk është shumw e rëndësishme. Unë rishfaqem si shpirti i Maria Kalas ndërsa dëgjoj Casta Diva.
Nuk ka aspekte të reja për të zbuluar për Maria Kalas, por ne do të rijetojmë ndarjen në personalitetin e saj: “Ajo ishte një përzierje e forcës në skenë dhe brishtësisë në jetën private, dhe kjo është ajo që ne rikrijojmë”.
Krijoi këtë lloj instalacioni lirik në lëvizje “për të rinjtë, të cilëve u them, mos kini frikë, për 1 orë e 37 minuta do të hyni në jetën e një gruaje të jashtëzakonshme, shpresoj të gjeni një pjesë të vetes, duke kapërcyer barrierat e kohës”.
Çfarë do të kërkonte nga Maria, nëse do të ishte përballë saj? “Më shumë se një pyetje, do t’ju thosha se është e vështirë të pranosh fundin tënd. Nëse e ke atë talent, i takon të gjithëve, duhet ta ndash, nuk mund të dorëzohesh, në moshën 53… Në punën time ka gjithmonë një ide shpëtimi, prandaj e bëj këtë punë”.
Marrë nga Il Corriere della Sera, përshtati në shqip Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



