Njerez

Roeni, gjimnazisti që u shkruan botuesve për librat e fundit

Nga Suadela Balliu - Në urbanë, parqe apo kafene, rrallë, për të mos thënë kurrë, të zë syri ndonjë të ri që shfleton një libër apo qoftë edhe revistë apo gazetë. Të zhytur brenda ekranit të telefonave inteligjentë apo të ndonjë tableti, pa ngritur thuajse fare kryet për të vështruar përreth, për të parë stacionin ku duhet të ndalen apo për të këmbyer dy fjalë me bashkëbiseduesin që kanë zgjedhur të pinë një kafe, të thëthirë  nga realiteti virtual që u hap një univers me informacione, nga ato më shkencoret e deri tek ato që të bëjnë të humbasësh mendje dhe orë tëra, çfarë ua tërheq aq shumë vëmendjen të rinjve sot? Ku preferojnë ta përqendrojnë interesin, dhe ta shkojnë kohën me lexime?

“Sot nuk sheh pothuajse asnjë të moshës sonë që lexon në urban. Janë të gjithë pas celularëve. Që të mos dukem çuditshëm, edhe unë kur jam në urban, preferoj të lexoj libra nga celulari im”, kështu rrëfen Roen Naska, maturant në shkollën e mesme “Sami Frashëri” në kryeqytet. Për të mos rrezikuar të ngjajnë si të katapultuar në kohë, nga ndonjë epokë e largët, kur libri ishte mediumi më në modë, të rinjtë mund t’i largohen librit të shtypur – të paktën në mjedise publike – por jo leximit. Roeni, është nga ata të rinj, të cilët libri i ka fituar në mbretërinë e tij qysh herët. Nxënës ekselent, me ambicie për t’u bërë në të ardhmen neurolog, kryetar i klubit të librit në shkollën e tij dhe madje ka provuar edhe të shkruajë vetë në prozë, duke botuar disa kopje – me ndihmën e prindërve – të novelës së tij të parë.

Rrëfen se ishte në klasën e pestë, kur u dashurua me librat. “Mamaja ime ble shumë libra dhe e ka pasion leximin, por duke qenë se vëllai im i madh nuk ishte shumë i dhënë pas tyre, ajo nuk ma imponoi as mua leximin”, kujton nxënësi, ndërsa shton se ishte shoqja e tij, në shkollën 9-vjeçare, e cila gjithnjë e shihte me  një libër në duar, duke  lexuar, gjatë pushimeve mes orëve dhe ishin kopertinat me ngjyra,  që e tunduan fillimisht. “E mbaj mend akoma librin tim të parë, titullohet “Beni do Anën”, një  novelë për fëmijë. Aty nisi dashuria ime për librin”, vijon i riu, ndërsa thotë se diku nga klasa e gjashtë, u ndesh me serinë e librave “Harry Potter” të autores J.K.Rowling.

Ishte mbase saga fantastike e djaloshit magjistar, që e shtyu të hidhte edhe ai në letër imagjinatën e tij. “Nuk është aq fantazi sa të krijosh një tjetër botë, si ajo e Harry Potter-it, por është fiction dhe ka mister brenda.”Vëzhgon tiparet e miqve dhe i kthen në personazhe dhe krijon situata të hamendësuara duke  menduar sesi një shok apo një tjetër do të sillej në atë rast. Thotë se po përpiqet të gjejë një botues për librin e tij, por deri tani ka arritur të shtypë vetëm pak kopje, të cilat ua ka shpërndarë disa miqve për ta lexuar.Në klasën e dhjetë apo viti i parë i gjimnazit, u njoh me Iliadën e Homerit, ndërsa tani rrëfen se janë duke studiuar veprën e autorit francez Alber Kamy. Ndër shkrimtarët që përmban programi i detyrueshëm i shkollave të mesme në lëndën e letërsisë, Roeni thotë se i parapëlqyeri i tij është Fjodor Dostojevski dhe romani “Vëllezërit Karamazov”.

“Por libri më i preferuar, nga ato që kemi trajtuar në lëndën e letërsisë, për mua mbetet “Don “Kishoti i Mançës”. Edhe për shkak të volumit, është sfidë më vete ta lexosh”, thotë ai. Lexon kur ka kohë të lirë, duke shfrytëzuar në maksimum muajt e verës, ndërsa mësuesit e letërsisë u japin gjithnjë paraprakisht listën e librave që do të studiojnë gjatë vitit shkollor. "Ky është viti i fundit dhe kam vënë re se  nuk kam edhe aq shumë kohë të lexoj, por në vitet e shkuar, lexoja edhe në fundjavë, edhe gjatë verës.”

Ka pasur raste, shton ai, që ka shkuar një ditë pa mësuar në shkollë, sepse e ka kaluar natën zgjuar për të mbaruar një libër artistik. Librat, ata të shijeve të tij, nuk i gjen në bibliotekën e shkollës dhe botimet e reja, thotë se i ble. Ka madje edhe kartën e klientit në librarinë “Adrion”. “Por lexoj edhe online”, thotë dhe nuk e ka fjalën për artikuj të shkurtër apo citimet nga fragmente librash në rrjetet sociale, por për libra të mirëfilltë artistikë, të cilat i gjen në gjuhën angleze kryesisht. “Ia kemi gjetur anën. Ka disa aplikacione ku  mund t’i lexosh. Unë përdor një librari online, e cila të jep dy javë për të lexuar një libër. Nëse nuk e përfundon dot, koha mbaron dhe libri fshihet”, zbulon Roeni, ndërsa thotë se online preferon të lexojë letërsinë bashkëkohore, ndërsa klasikët, edhe për shkak të anglishtes ca më të vjetër, zgjedh t’i lexojë në versionet e përkthyera në gjuhën shqipe.

“Kur lexon në shqip, has fjalë të cilat nuk i ke dëgjuar më parë, që të pasurojnë fjalorin. Kur libri është i përkthyer mirë, lexon diçka që ka vlerë edhe në përkthim”.  Duke parë pasionin e tij për leximin, të shumtë kanë qenë ata që i kanë sugjeruar të ndjekë studimet e larta në Letërsi, por jeta vetmitare që bëjnë shkrimtarët ndërsa frymëzohen për të shkruar, i duket vuajtje. “Dua të ndihmoj njerëzit dhe mendoj se mjeku e bën më së miri. Më pëlqen neurologjia, sepse mendoj se është nga ato fusha të mjekësisë ende të pazbuluara plotësisht.”

Roeni ndalet edhe tek autorët e propozuar në programin e letërsisë, ku sipas tij mungon larmia. “Nuk  e di pse hartuesit e programit janë fokusuar më shumë tek letërsia ruse dhe europiane. Letërsia angleze dhe ajo amerikane nuk preken fare. Edhe nga Amerika Latine, kemi pasur vetëm një autor –Gabriel  Garcia Marquez – të cilin më duket se këtë vit e kanë hequr. I vetmi amerikan që kemi pasur ishte Edgar Allan Poe”.Një tjetër kritikë e të riut është mungesa e shkrimtareve femra. “Nuk ka asnjë. Ka vepra feministe si “Zonja Bovari” apo “Medea”, por autore femra nuk ka pasur.”Ai vetë pëlqen,  veç autores së sagës së Harry Potter-it, motrat Brontë dhe shkrimtaren e “Frankenshtajn”, Mary Shelly.

Roeni dhe Alda në bibliotekën e shkollës

Veç librave që i ble me kursimet e tij, apo i vijnë si dhurata ditëlindjeje, i ndan librat me shokë dhe shoqe të klasës. Një prej tyre është Alda Osmani, edhe ajo maturante. “I rekomandova “Pylli Norvegjez” të Haruki Murakamit, edhe pse e dija që nuk ishte nga ata libra misteri që ka qejf Alda, por ishte për të pasur një shije të një letërsie ndryshe nga ajo evropiania, që jemi  mësuar.”Me gjithë hezitimet e para, Alda rrëfen se i pëlqeu. Sigurisht nuk ishte si romanet e Dan Brown-it, autorit të saj të pëlqyer. “Akoma nuk kam lexuari “Origjina, librin e fundit,  të Brown”, thotë e entuziazmuar nxënësja, ndërsa rrëfen se megjithëse në shtëpinë e saj blihen dhe lexohen libra, pasioni për leximin ka qenë një rrugëtim personal. Edhe ajo si shoku i saj, dëshiron të studiojë mjekësi dhe të specializohet në të ardhmen në neurologji.

“Më pëlqejnë shumë edhe librat rreth adoleshencës, sesi shoqëria ndikon mbi ne”, thotë ajo, ndërsa rrëfen se libri i fundit që ka lexuar ishte “Metamorfoza” e Franc Kafkës, autor që gjimnazistët e kanë të detyrueshëm në programin mësimor. “Kur lexova Metamorfozën , impakti i parë nuk ishte pozitiv, por sa më shumë të futesh brenda librit, aq më shumë të ndryshojnë edhe mendimet.” Letërsia moderne,  e programuar në klasën e 12-të, është edhe më e preferuara e të rinjve, pasi u afrohet epokës në të cilën jetojnë. “Disa libra i gjejmë edhe në bibliotekë, ose i këmbejmë me shokët, por lexoj dhe online, edhe pse prekja e librit është ndjesi shumë e bukur, librat e  shtypur  kushtojnë dhe nuk mundemi t’i blejmë dot të gjithë.”

Alda Osmani, nxënëse 

Kur flet për letërsinë shqipe, Alda rrëfen se një nga librat që i ka lënë mbresa, të cilin e ka lexuar gjatë 9-vjeçares është “Meriyll” i autorit Viktor Canosinaj. Një nga mundësitë për të përfituar nga ulja e çmimeve të librave është panairi, rrëfejnë të rinjtë, megjithëse shprehin ankesën se jo të gjithë autorët dhe librat e preferuar të tyre janë të përkthyer në gjuhën shqipe.

“Libri im i preferuar ka tre vjet që nuk përkthehet” ndërhyn Roeni, ndërsa e ka fjalën për trilogjinë “Sekreti i Shtëpisë në Ishull” të autorit Ransom Riggs, botuar nga shtëpia botuese “Pegi”. “Ai sapo ka nxjerrë librin e tij të katërt dhe ka nisur një trilogji të re, ndërsa “Pegi” është dy- tre libra mbrapa. U kam shkruar dhe më kanë thënë se  po punojnë. Libri i tretë titullohet “Libraria e Shpirtrave”, thotë  Roani, ndërsa rrëfimi e ka përfshirë të tërin në emocione. Dy libra të këtij autori, thotë se i ka lexuar online, më pas i bleu të përkthyer edhe në shqip dhe ndërkohë është në pritje të botimit të ri.

“Gjithashtu Riggs ka edhe të shoqen, shkrimtare, quhet Tahereh Mafi dhe ka një seri librash, të cilëve u është blerë e drejta të ekranizohen, por në shqip nuk ka asnjë shenjë përkthimi, thotë Roeni. Kur librat bëhen versione kinematografike dhe përkthehen me vonesë në gjuhën shqipe, thotë se të rinjve u ikën disi interesi për ta lexuar, pasi kanë parë filmin.Autori i tij i preferuar, ndër të gjithë, mbetet Stephen King dhe zhanri i horrorit. I preferuari është “Shining” , të cilin e ka lexuar në gjuhën angleze, por e ka parë edhe versionin shqip, “Rrezatimi”.

Thotë se preferon gjithnjë ata libra që e bëjnë t’i arratiset pak realitetit, ndaj nuk parapëlqen shumë librat jofiction. Nga autobiografitë thotë se ka lexuar vetëm “Ditari i Ana Frankut”. “Më ka pëlqyer shumë, por si zhanër nuk e preferoj edhe aq.”Ndërsa Alda, në të kundërt i parapëlqen. Thotë se i fundmit libër historik që ka lexuar ishte “Ahmet Zogu” i gazetarit Blendi Fevziu. “E lexova dhe më tërhoqi, Veçanërisht pjesa ku rrëfehet rreth shkollimit të tij, me sakrifica. Mendoj se, që të bëhesh dikush duhet patjetër të sakrifikosh. Dhe historitë e njerëzve të mëdhenj, më frymëzojnë.”

Alda është nga ato nxënëse që bën pjesë jo vetëm në klubin e librit të shkollës, por edhe të krijuesve të rinj, pasi shkruan poezi. “Shkruaj ndjesitë për jetën në përgjithësi. Janë poezi filozofike. Nuk kam dëshirë t’i ndaj me të tjerët, i mbaj për vete”, thotë ajo. Por poezitë ia ka dhënë Roenit t’i lexojë, ashtu si edhe ai i ka dhënë novelën e tij dhe më pas kanë diskutuar dhe i kanë dhënë mendime njëri-tjetrit.Ashtu siç edhe diskutojnë gjatë takimeve me klubin e librit, të cilat i kanë zhvilluar dy apo tri herë në muaj.

Fokusi dhe interesi i tyre ka qenë tek autorët  bashkëkohorë, ata që prekin edhe problemet e moshës së re. “Kemi diskutuar mbi libra si “Mrekullia” e Palacios, “Jo të gjithë dritën mund ta shohim” të Anthony Doer, “Gatsbi i madh” që është modern më i hershëm. Këtë vit po bëjmë gati listën e re,” thotë ai.Nga një anketim që kanë kryer të dy nxënësit në shkollën e tyre, kanë qenë të shumtë ata të rinj që kanë shprehur dëshirën për t’u përfshirë në klubet e librit dhe të krijuesve të rinj. Kur shkolla i njofton, marrin pjesë edhe në aktivitete kulturore, promovime librash apo takime me autorë.“Ishim para disa ditësh në një takim që u realizuar nga shtëpia botuese “Toena” me shkrimtarin Emilios Solomou”, rrëfen Alda. Roeni, nga ana tjetër, ndjek me interes disa shtëpi  botuese, si Uegen, Pegi, Aeditions.

“E ndjek Uegen sepse ka botuar trilogjinë “Busulla e Artë” të autorit Philip Pullman, trilogjia ime e preferuar. Mendoj se është një nga klasikët e fantazisë, që më pas hodhi bazat e Harry Potter-it. Me këtë libër janë mbrojtur tema masteri në letërsi”, thotë ai, ndërsa shton se  nga “Uegen”  ka blerë edhe një libër tjetër, dy vjet të shkuar në panair, “Drita midis oqeaneve”. “E bleva pa e njohur autorin, por ishte libër i bukur.”

Autorët e preferuar i ndjek në rrjetet sociale dhe është në dijeni  gjithnjë të botimeve të tyre të fundit. “Jam i interesuar për libra adoleshentësh. Në Shqipëri jemi mësuar të lexojmë Dostojevskin që në 9-vjeçare mundësisht. Ka shumë që e kanë lexuar pa kuptuar asgjë.”Ai mendon se librat për adoleshentë mes botimeve shqiptare, lihen pak pas dore, sepse sipas Roenit, botuesit rendin tek librat që janë sukses i momentit, ata që janë ekranizuar si “Të gjithë djemtë që kam dashur më parë”  botuar nga “Bota Shqiptare” apo “Everything, everything”, që në shqip është botuar me titullin “Ne jemi gjithçka”.

 “Ndonjëherë hutohemi edhe nga përkthimi i titujve. Mendojmë se nuk është përkthyer, por në shqip ka ardhur me një titull tjetër. Ja përshembull, libri “The perks of being a ëallfloëer”, që mund të ishte “Të mirat e të qenit një lulëkuqe”, që në shqip do të ishte më tërheqëse, më e ngrohtë, pasi është libër i mirënjohur dhe i ekranizuar me super aktorë, ka ardhur i përkthyer me titullin “Ne jemi pafundësi”, thotë Roeni. Thotë se shpesh ka disa versione përkthimesh të një libri, botime e ribotime, ndërsa mungojnë shumë tituj të tjerë. Një prej librave që nuk e ka gjetur dot, është “Fahrenheit 451” i Ray Bradbury-it. “Më kanë thënë që ka qenë i botuar dikur, por nuk është më në qarkullim” thotë ai.

Ndërsa mësimi i një dite zyrtarisht ka mbaruar dhe ata ia lënë klasat viteve të para në gjimnazin “Sami Frashëri”, të cilët bëjnë mësim pasdite, Roeni dhe Alda i drejtohen bibliotekës së shkollës, për të marrë nga një kopje të romanit “I huaji” të Alber Kamysë, të cilin do ta kenë së shpejti në orën e mësimit, si autor i programit të vitit të fundit të gjimnazit. Megjithëse shijet e librave u kanë ndryshuar me moshën, Roeni rrëfen se nga “Harry Potter” nuk do të ndahet kurrë. “Edhe kur të kem vetë fëmijë”, do ta lexoj me ta, thotë ndërsa largohet, pa harruar të shtojë edhe diçka të fundit. “Të rinjtë nuk lexojnë?! Unë dhe miq të mitë mund të lexojmë rreth njëzet libra në vite, me raste edhe më shumë. Mendoj se nëse ka grupmosha që lexojnë më shumë, ata janë të rinjtë.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë