Gazeta Si – Katër punonjës policie janë vënë në hetim në gjendje të lirë për shpërdorim detyre pas arratisjes së 21-vjeçarit Kristjan Medolli nga Gjykata e Korçës një ditë më parë.
Pas veprimeve hetimore, dy punonjësit e policisë, G. S dhe F. S. nuk kanë përmbushur detyrën funksionale, duke mos zbatuar detyrimet ligjore për mënyrën e shoqërimit të personave të arrestuar apo të ndaluar.
Po ashtu, rezulton se inspektor E.S., në kundërshtim me procedurat standarde të punës dhe në cilësinë e përgjegjësit të patrullave, ka bërë njoftimin vetëm të njërit prej punonjësve të patrullës për shoqërimin në gjykatë të 21-vjeçarit që do të njihej me masën e sigurisë.
Dyshohet se punonjësi i policisë, Komisar M.J., në cilësinë e eprorit të drejtpërdrejtë dhe në mungesë të Specialistit të Rendit, në kundërshtim me ligjin nuk ka marrë masa për organizimin e shërbimeve për shoqërimin e të ndaluarit.
Kristjan Medolli, i cili është njohur me masën e sigurisë arrest me burg, me pranga në duar ka dalë me vrap nga garazhi i gjykatës.
I riu nga fshati Qatrom i Korçës u arrestua 3 ditë më parë, si i dyshuar për grabitjen e një biçiklete dhe një motor frigoriferi.
Sapo mësoi se do qëndronte në burg u arratis nga Gjykata e Korçës, por u arrestua shumë shpejt në afërsi të azilit të Korçës, afër kishës së Shën Thanasit, i futur nëpër ferra e shkurre.
Nga veprimet hetimore, siç thuhet në njoftim, ka rezultuar se dy punonjësit e policisë, nuk kanë përmbushur detyrën funksionale duke mos zbatuar detyrimet ligjore për mënyrën e shoqërimit të personave të arrestuar apo të ndaluar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




