Ngjarje

Të gjitha dyshimet për vdekjen e Ilvi Metës/ KSHh: Polici la shënim se mund të vetëvritej

Gazeta Si – Një prej policëve të Komisariatit të Kavajës, kishte paralajmëruar se Ilvi Meta mund të vetëvritej.

Këtë paralajmërim, sipas Komitetit Shqiptar të Helsinkit, efektivi Petrit Brahimaj e ka lënë shënim në librin e Regjistrit të Evidentimit të të Dhënave për Personat e Shoqëruar.

Shënimi në këtë libër është firmosur nga Brahimaj, i cili ka qenë duke lënë turnin, si dhe nga G.H., që është punonjësi që ka marrë turnin si përgjegjës i dhomave të sigurisë.

Shënimi i bërë nga nënkomisari, tashmë i arrestuar për shpërdorim detyre, është bërë në orën 19:00 të mbrëmjes.

Por në gjetjet e vëzhguesve të Komitetit, raportohet se orari kur është lënë shënimi, ka mospërputhje me atë kur mjeku këqyri nga afër trupin e pajetë të të ndierit.

LEXO EDHE:
U vetëvra në komisariat me lidhësen e bluzës, i riu ishte dënuar 3 herë për vjedhje. Arrestohen 3 policët e Kavajës
– Nga vrasja e Klodian Rashës te çështja e pushuar e Enea Ftoit, kur qytetarët i ngelin në ‘dorë policisë’
– Policia nuk zbatoi rregulloren. Tjetër rast i mungesës së kontrollit, në komisariate s’ka kujdes për të shoqëruarit

“Vëzhguesit e KShH-së raportojnë se ky shënim ka mospërputhje me shënimin që mjeku, O.H, ka bërë në librin e vizitave mjekësore, nr 63, duke shënuar orën 18:00 të datës 4 Maj, si orën e konstatimit të trupit të pajetë të të ndjerit. Kjo mospërputhje e bën të paqartë momentin kur punonjësit kanë konstatuar ngjarjen”.

Por veç kërkesës për vëmendje, polici i turnit nuk ka lënë shënime të tjera mbi arsyet se përse 31-vjeçari mund të kryente vetëvrasje.

Një ekip i KShH ka shkuar në ambientet e brendshme të Komisariatit të Kavajës për të verifikuar qelinë ku u gjet i pajetë 31-vjeçari.

Në një raport të plotë sipas KSHH ngjarja tragjike mund të ishte parandaluar.

Në deklaratë, thuhet se në takimin që patën me shefin e Komisariatit të Policisë Kavajë, vëzhguesit e KShH-së u informuan për detajet.

Ata u informuan se shtetasi Ilvi Meta është shoqëruar fillimisht në Komisariatin e Policisë Kavajë në orën 11:30 të datës 04.05.2022, e cila u verifikua edhe në Regjistrin e Evidentimit e Dhënave për Personat e Shoqëruar. 

Në orën 15:50 është realizuar ekzekutimi i masës së sigurisë “arrest me burg” në ambientet e Komisariatit, për veprën penale të Vjedhjes (sipas nenit 134/1 të Kodit Penal), si dhe është njoftuar familjari i tij, babai, nga oficeri i patrullës B.B.

I ndjeri Ilvi Meta ka qëndruar i vetëm në dhomën e sigurisë. Kjo e dhënë është verifikuar edhe në regjistrin e personave të ndaluar/arrestuar të ndodhur në Komisariat.

Po sipas Komitetit Shqiptar i Helsinkit, njëri nga policët e arrestuar deklaron se Ilvi Meta s’ka pasur lidhëse. Sipas njërit prej policëve, bluza që Ilvi Meta mbante veshur nuk kishte kapuç.

Paraprakisht KShH vëren se pasojat që kanë ardhur nga kjo ngjarje e rëndë, vendosin në pikëpyetje kontrollin rigoroz të dhomës së sigurisë dhe/ose kontrollin personal të të arrestuarit.

Vëzhguesit e KShH verifikuan nga afër kushtet e dhomës së sigurisë ku ishte vendosur i ndjeri Ilvi Meta, prej nga rezultoi se ajo nuk përmbushte kriteret e parashikuara për personat e ndaluar.

Konkretisht shufra metalike horizontale e zgavrës së qelisë nuk duhet të ishte më e lartë se 60 cm. Në fakt ajo ishte vendosur në një lartësi rreth 2 metër, gjë që krijonte mundësinë e vetëvarjes.

“Shefi i komisariatit na informoi se për t’i dhënë fund jetës së tij ai kishte përdorur një lidhëse të kapuçit varur tek shufra metalike”, – thuhet në raportin e KSHh-së.

Roja i shërbimit për mbikëqyrjen e dhomave të sigurisë, ishte personi që konstatoi se Ilvi Meta ishte varur, por nuk mund të hynte në dhomë.

Kjo, sepse nuk kishte çelësin e qelisë, të cilin e mbante përgjegjësi i dhomave të sigurisë, e pasi ai përfundonte orarin dhe shërbimin, çelësi mbahej në sallën operative të Komisariatit.

Ai u njoftua menjëherë dhe pas hapjes së derës, u realizua shoqërimi i tij në qendrën spitalore më të afërt, ku dhe u konstatua vdekja e 31-vjeçarit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë