Gazeta Si – Ilvi Meta, i cili u vetëvra në qelinë e komisariatit të Kavajës, dyshohej për vjedhjen e një banese para rreth një muaji në 2 prill 2022.
Por duke parë dinamikën e ngjarjes për të cilën akuzohej, 31-vjeçari është prangosur thuajse 4 orë para vendimit të gjykatës për masë sigurie.
Meta u arrestua mesditën e 4 majit (e mërkurë), pasi gjurma e gishtit të tij të madh të dorës së majtë ishte verifikuar në banesën e vjedhur. Bëhet fjalë për një shtëpi të braktisur të një çifti të moshuarish në Kavajë.
Ka qenë vajza e çiftit ajo që kishte shkuar ta kontrollonte, kur konstatoi rrëmujën dhe mungesën e disa sendeve.
LEXO EDHE:
– U vetëvra në komisariat me lidhësen e bluzës, i riu ishte dënuar 3 herë për vjedhje. Arrestohen 3 policët e Kavajës
– Nga vrasja e Klodian Rashës te çështja e pushuar e Enea Ftoit, kur qytetarët i ngelin në ‘dorë policisë’
– Policia nuk zbatoi rregulloren. Tjetër rast i mungesës së kontrollit, në komisariate s’ka kujdes për të shoqëruarit
Në orën 14:00 po të 4 majit, rreth 4 orë pas arrestimit të të riut dhe mbajtjes së tij në dhomën e të ndaluarve në komisariatin e Kavajës, gjykata vendosi t’i caktojë në mungesë të tij masën e sigurimit personal të “arrestit me burg”, si i dyshuar për vjedhje.
Kjo konfirmohet edhe nga njw raport i Komitetit Shqiptar të Helsinkit, ku Meta është shoqëruar fillimisht në Komisariatin e Policisë Kavajë në orën 11:30 të datës 04.05.2022, e cila u verifikua edhe në Regjistrin e Evidentimit e Dhënave për Personat e Shoqëruar.
Në orën 15:50 është realizuar ekzekutimi i masës së sigurisë “arrest me burg” në ambientet e Komisariatit, për veprën penale të Vjedhjes (sipas nenit 134/1 të Kodit Penal), si dhe është njoftuar familjari i tij, babai, nga oficeri i patrullës B.B.
Në vendimin e gjykatës së Kavajës të siguruar nga Gazetasi.al, argumentohet se “kërkesa për caktimin e masës së sigurimit, kur paraqitet në fazën e hetimeve paraprake, caktohet nga gjykata në Dhomë Këshillimi pa praninë e palëve”.
Pikërisht rreth 3 orë nga ky vendim, në orën 19:00, policia njoftoi se Ilvi Meta u gjet i pajetë në dhomat e sigurisë të komisariatit me dyshimin se është vetëvarur me lidhësen e kapuçit të bluzës që mbante veshur.
Në fakt, gjithçka e ka zanafillën të hënën e datës 2 prill, ku rreth orës 16:00 salla operative e policisë në Kavajë është njoftuar për një vjedhje në banesën e shtetsit A.L.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, u konstatua se autori/autorët janë futur nga dritarja.
Policia gjeti një gjurmë papilare të gishtit të madh të dorës së majtë, që sipas ekspertizës rezultoi të ishte e Ilvi Metës.
Për të ndihmuar hetimet, ka shërbyer edhe dëshmia e gruas që njoftoi policinë.
Shtetësja M.E., kishte shkuar të kontrollonte banesën e prindërve kur ka verifikuar rrëmujë fillimisht në depo dhe më pas në banesë.
Prokuroria e Kavajës kërkoi masë sigurie “arrest në burg” për 31-vjeçarin dhe gjyqtarja Anjeza Buzo ka pranuar kërkesën.
Prokuroria ka argumentuar caktimin e masës së sigurisë, “duke pasur parasysh rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale të autorit të dyshuar”, – thuhet në vendimin e gjykatës.
Megjithatë, Kodi i Procedurës Penale parashikon se “asnjë person nuk mund t’i nënshtrohet masave të sigurimit personal, nëse ndaj tij nuk ekziston një dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova”.
Por për rastin konkret, gjykata konstatoi se caktimi i masës së sigurisë ndaj Metës, “është i nevojshëm”, pasi vepra penale për të cilën akuzohet, “vjedhja”, dënohet deri në 3 vjet burgim.
Ndërkohë, ekspertiza mjekoligjore zbuloi se 31-vjeçari Ilvi Meta nuk është dhunuar, por ka ndërruar jetë nga asfiksia.
Ai dyshohet se është vetëvarur me rripin e kapuçit të bluzës që mbante veshur. Për këtë shkak janë arrestuar nën akuzën e shpërdorimit të detyrës 3 punonjës policie, që me veprimet dhe mosveprimet e tyre nuk kanë parandaluar këtë ngjarje.
Në pranga ka rënë nën komisari Betrit Berhamaj dhe inspektorët Bexhet Beriberi dhe Reshit Kola.
Dyshohet se punonjësit e policisë nuk zbatuan procedurat standarde të trajtimit të personave të ndaluar duke e lejuar të mbante rripin me të cilin dyshohet se kreu vetëvrasjen.
Ndërsa babai i viktimës nuk e beson versionin e hetimeve paraprake, duke thënë se djali i tij është vrarë.
Nuk ishte hera e parë që 31-vjeçari përballej me uniformat blu. Ai rezulton i shoqëruar disa herë në polici dhe i dënuar 4 herë për vjedhje.
Megjithatë, mbetet ende mister se në çfarë kushtesh dhe rrethanash, 31-vjeçari kreu aktin e vetëflijimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.