Gazeta Si – Ilvi Meta, 31-vjeçari që u gjet i vdekur brenda dhomave të paraburgimit të komisariatit të Kavajës, është vetëvrarë.
Pas hetimeve të kryera, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP, dega rajonale Durrës-Kavajë), njofton se i riu ka vrarë veten me lidhësen e kapuçit të bluzës që mbante veshur.
Në pranga janë vnë tre punonjës të komisariatit të Policisë së Kavajës për shpërdorim detyre.
Ndërkohë, i riu rezulton të jetë i dënuar tre herë për vjedhje në të shkuarën.
LEXO EDHE:
Ishte ndaluar për vjedhje, vetëvritet 31-vjeçari në komisariatin e Kavajës. Babai akuzon policinë
Në njoftimin zyrtar thuhet se në trupin e Ilvi Metës nuk është konstatuar asnjë shenjë dhune, ndërsa 3 policët e prangosur akuzohen për mos parandalimin e këtij akti të rëndë.
“Nga ana e ekspertëve mjeko-ligjorë është bërë këqyrja e viktimës nga ku ka rezultuar se në trupin e tij nuk janë konstatuar shenja dhune”, – thuhet në njoftimin e AMP-së.
Nga hetimet paraprake, punonjësit që kanë pasur për detyrë mbikëqyrjen dhe mbajtjen në kontroll të Metës, gjatë kohës që ai ka qenë i shoqëruar/ndaluar, nuk kanë përmbushur detyrimet dhe standartet që parashikon ligji.
Policët akuzohen për ‘shpërdorim detyre’
AMP thekson se këta punonjës, me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë shpërdoruar detyrën, duke mos marrë masa për parandalimin e ngjarjes.
Kështu, kanë rënë në pranga,
1.Nënkomisar Petrit Brahimaj, 61 vjeç, me detyrë Specialist i sallës së komandimit, në Komisariatin e Policisë Kavajë;
2.Inspektor Bexhet Berberi, 60 vjeç, me detyrë trupë shërbimi, patrullë e përgjithshme në Komisariatin e Policisë Kavajë;
3.Inspektor Rushit Kola, 59 vjeç, me detyrë trupë shërbimi në dhomat e sigurisë pranë Komisariatit të Policisë Kavajë.
Ndërkohë babai i 31-vjeçarit pretendon se djali i tij nuk është vetëvrarë, por i ka “mbetur në dorë policisë”.
Sipas tij Ilvi nuk kishte shenja në qafë dhe as të nxira, ndërsa shtoi se nuk ishte një djalë problematik për policinë.
I dënuar tre herë për vjedhje
31-vjeçari, u gjet pa shenja jete rreth orës 19:00 në qelinë e paraburgimit, disa orë pasi ishte arrestuar për vjedhje.
Meta rezulton i dënuar 3 herë për vjedhje. Në vitin 2010, më 7 shtator, Gjykata e Durrësit e kishte dënuar atë me 4 muaj burg. Pas daljes nga qelia, ai do të merrte një dënim tjetër, kësaj here nga Gjykata e Kavajës. Më 13 mars 2011, ai është dënuar me 8 muaj burg.
Dënimi i fundit i Metës rezulton në vitin 2012, ku Gjykata e Kavajës e dënoi kësaj here me 16 muaj burg për vjedhje.
Meta ka lindur në Kavajë dhe banonte në lagjen nr. 6 të këtij qyteti.
Pas daljes nga burgu ai ishte shoqëruar edhe herë të tjera në komisariat, ndërsa familjarët pohojnë të kundërtën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.