Trashëgimi

Ish-kongresmeni amerikan DioGuard, letër UNESCO-s: Shpëtoni Butrintin!

foto e ish-kongresmenit

Nga Gazeta Si - Përpos reagimeve të ekspertëve shqiptarë të fushës së trashëgimisë kulturore dhe opozitës për dhënien e Parkut të Butrintit një fondacioni privat për menaxhimin e tij për 10 vite, reagime vijnë edhe nga ndërkombëtarët.

Ish-kongresmeni amerikan, Joseph J. DioGuardi, drejtues i organizatës “Truth in Government” dhe Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, i ka dërguar një letër  Dr. Lazare Eloundou Assomo, drejtor i Qendrës së Trashëgimisë Botërore UNESCO për mënyrën e re të menaxhimit të Butrintit.

Në letrën e tij bëhet thirrje për ta shpëtuar Butrintin, pasi sipas tij është shkelur Konventa e Trashëgimisë Botërore e vitit 1972.

Letra mban datën 8 Prill 2022 dhe titullin “Statusi potencialisht i rrezikuar i Sitit të Trashëgimisë Botërore të Butrintit në Shqipëri”.

“Unë jam ish-anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, ku në vitet 1985-1989 kam përfaqësuar Neë York-un. Gjithashtu jam president i Truth in Government (E vërteta në Qeveri), organizatë mbikëqyrëse publike që ndjek përgjegjësitë fiskale të qeverisë. Për më tepër jam themelues dhe president i Albanian American Civic League (Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane) dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, dy ente që promovojnë angazhimin e thellë të komunitetit në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Si person privat dhe i dedikuar, në përputhje me nenin 11(4) të Konventës së Trashëgimisë Botërore të vitit 1972, kërkoj të tërheq vëmendjen tuaj ndaj disa kërcënimeve të mundshme, ‘serioze dhe specifike’, që rrezikojnë Sitin e Trashëgimisë Botërore të Butrintit”, lexohet në letrën e ish-kongresistit DioGuardi drejtuar UNESCO-s.

Letra drejtuar UNESCO-s

Ndër të tjera, ai shkruan se “jam krejt i bindur se autoritetet kombëtare shqiptare i kanë kapacitetet për të drejtuar dhe menaxhuar Butrintin vetë, në përputhje të plotë me Konventën e vitit 1972. Në fakt, falë punës dhe përkushtimit të burimeve njerëzore vendase, në vitin 2005, Butrinti u hoq nga lista e siteve të rrezikuara të UNESCO-s dhe u ngjit në listën aktuale (të Trashëgimisë Botërore). Sidoqoftë, ndryshimet e fundit në legjislacionin përkatës shqiptar kanë hapur rrugën për të ndryshuar strukturën e menaxhimit të Butrintit nga modeli ekzistues dhe i mirëformuar sipas Konventës së Parisit, ku shtetet palë kanë menaxhim ekskluziv, në një menaxhim të ri, eksperimental e privat, i cili do të drejtohet nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF)”.

Për ish-kongresmenin e njohur është e pakuptueshme që një ent me bazë në SHBA, siç është Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit të tentojë të krijojë një model “hibrid” në Shqipëri.

“Politika e qëndrueshme dhe e vazhdueshme e qeverisë së SHBA-së në lidhje me Parqet Kombëtare në Amerikë, duke përfshirë Vendet e Trashëgimisë Botërore, është që ata të menaxhohen vetëm dhe ekskluzivisht nga Shërbimi i Parkut Kombëtar, agjenci e Departamentit të Brendshëm të SHBA-së. Prandaj është e pakuptueshme që një ent me bazë në SHBA, siç është Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, të devijojë nga një politikë kaq e mirëndërtuar e qeverisë amerikane, duke tentuar kështu të krijojë një model të ri ‘hibrid’ në Shqipëri, sipas të cilit menaxhimi transferohet nga duart e sovranit në ato të një fondacioni të kontrolluar nga jashtë”, vijon më tej letra.

Para dy ditësh, Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim ka reaguar për herë të parë lidhur me debatin e zhvilluar për Parkun e Butrintit. Në një njoftim zyrtar, AADF shkruante se pronësia e parkut nuk do të ndryshojë, ndërsa shtonte se vetë nuk janë organizatë fitimprurëse dhe çdo gjë që do të investojnë janë dhuratë nga populli amerikan.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë