Ka ndodhur

Durrës, plagoset me thikë nga kunati pas kërkesës për divorc nga gruaja

Gazeta Si – Vendimi për t’u divorcuar nga gruaja, ka shkaktuar një konflikt familjar në Durrës mes dy kunetërve.

Festim Hoxha goditi me thikë Spiro Tolin, pasi ky i fundit dërgoi bashkëshorten te shtëpia e prindërve.

Konflikti ka lindur disa ditë më parë, ku Toli kërkonte të divorcohej.

Por burri i motrës së tij, është përpjekur të negociojë që një gjë e tillë të mos ndodhte.

Hoxha nuk ka pranuar ndarjen dhe arsyen e kunatit dhe gjatë debateve të cilat kanë qenë të vazhdueshme, në gjaknxehtësi e ka plagosur me thikë.

Hoxha u arratis menjëherë pas ngjarjes, ndërsa Toli ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Një ditë më parë një tjetër plagosje me thikë ndodhi mes dy vëllezërve në zonën e plazhit të Durrësit.

Dy vëllezërit janë përplasur për shkak se njëri prej tyre kishte vënë alarmin e telefonit për t’u zgjuar nga gjumi që të hante syfyrin.

Zhurma ka shqetësuar 20-vjeçarin, i cili e ka qëlluar të vëllain me thikë, duke e lënë të plagosur rëndë.

Ndërkohë të martën një tjetër plagosje ndodhi për shkak të zhurmave në një lagje tjetër të qytetit, kur një 35-vjeçar qëlloi me armë zjarri një punëtor ndërtimi.

Ditën e sotme, Gjykata e Durrësit caktoi masën e sigurisë arrest në burg ndaj autorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë