Ka ndodhur

Tiranë, vidhte bizhuteri në banesa dhe më pas i shiste te ‘Dollari’

Gazeta Si – Një 39-vjeçar që vidhte bizhuteri dhe sende me vlerë në banesa është arrestuar në Tiranë.

Gjatë operacionit “Gold”, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G.D., 39 vjeç, banues në Laknas, për veprën penale “Vjedhja”, i dënuar më parë po për këtë vepër penale.

Ai është kapur në vendin e quajtur “Dollari”, duke shitur bizhuteri të cilat i kishte vjedhur në banesën e shtetasit S.R.

Ai kryente vjedhje në banesa, në zonën e Kombinatit, Paskuqanit dhe në zona të ndryshme të Tiranës dhe më pas sendet e vjedhura i shiste në vendin e quajtur “Dollari” dhe në një argjendari në Kamzë.

Nën hetim është vënë  pronarja e një argjendarie e cila përvetësonte dhe shiste bizhuteritë e vjedhura.

Shtetasja N. Z., 58 vjeçe, banuese në Kamzë, akuzohet për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.

Gjatë kontrollit, shtetasit G. D. iu gjetën 11 ora të dyshuara të vjedhura, ndërsa shtetases N. Z. iu gjetën 5 unaza dhe 2 varëse floriri, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me orët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë