Gazeta Si – Në Shkodër policia ka arrestuar autorin e plagosjes me armë zjarri të ndodhur 9 ditë më parë në lagjen “Perash”.
Në pranga ka rënë shtetasi E.S. 29 vjeç, autor i dyshuar i plagosjes së Edis Reçajt. Policia thotë se autori i dyshuar fshihej në një hotel në lagjen “Mark Lula” në Shkodër.
Ndërsa pronari i hotelit u procedua penalisht në gjendje të lirë nga policia për fshehje të të ardhurave dhe mos lëshim të kuponit tatimor.
Materialet për 29-vjeçarin iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprat penale “Vrasja” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Reçaj mori një plumb në këmbë pa goditjes, ndërsa në spitalin e Shkodrës e dërgoi i vëllai.
Në dëshminë e tij në spital, i riu ka thënë se nuk e njeh personin që e ka qëlluar dhe se ai i kishte shkuar nga pas.
“Personi ka qenë me kapuç të zi në kokë, erdhi nga mbrapa dhe më ka plagosur në këmbë dhe është larguar me shpejtësi. Nuk kam konflikte me asnjë person apo probleme me persona të tjerë”, ka thënë ai.

Sipas burimeve paraprake, mësohet se i plagosuri dhe autori kanë qenë bashkë në të njëjtin automjet. Dyshohet se ai është qëlluar me armë zjarri pikërisht në makinë.
Edis Reçaj, nuk është person me precedent penal, por ndërkohë rezulton se është nipi i Edmir Alisë, i ekzekutuar në vitin 2014 për pazare droge. Nuk dihet nëse kjo ngjarje ka lidhje me plagosjen e Reçajt.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




