Libra

Rita Petro: Lexuesi e gjen veten te historia e sinqertë e shkrimtarit

fotografi e poetes

Nga Gazeta Si – S’ngopem e s’ngopem së bëri çika

Viktimën – plaçkë…

Kur lodhem,

E kundroj me duart në mes, fitimtar:

“Guxo të mos më duash prapë!”, kjo është një ndër poezitë që i ka dhënë dhe titullin librit më të ri të gruas së guximshme të letrave shqipe, Rita Petro.

“Guxo mos më duaj prapë” me poezi të shkruara ndër vite, të botuar nga Shtëpia Botuese “Bard Books” në Kosovë e bën Rita Petron, pjesë të kolanës Safo që përfshin 10 poetesha shqiptare, emra me peshë në letërsinë shqipe.

Ndryshe nga poetët e tjerë që i shkruajnë dashurisë një herë a një tjetër, Rita Petro edhe në këtë vëllim, orvatet mes poezive të dashurisë, duke qëndruar brenda perimetrit të rrethit të dashurisë, pothuaj gjithherë.

Në një intervistë për Gazetasi.al poetja Petro jep më shumë detaje rreth poezisë së saj e mënyrës së të shkruarit. Ndër të tjera, poetja thotë se i rri larg trillimit pasi siç thotë vetë ajo “një lexues e gjen veten vetëm te historia e sinqertë e shkrimtarit”.

Botimi i ri “Guxo mos më duaj prapë”. Sa poezi ka dhe pse kjo përzgjedhje?

Ky libër me poezi i përket kolanës “Safo”, botuar nga “Bard Book” në Prishtinë, e cila përfshin disa poete të njohura shqiptare. Përzgjedhja e 50 poezive është bërë nga unë, në bashkëpunim me kuratoren Donika Dabishevci. Është e habitshme se, kur mbaroi përzgjedhja dhe renditja e poezive, libri më tingëlloi i ri. Këtë ma kanë thënë edhe disa lexues, ndonëse i kishin lexuar dhe librat e mëparshëm.

Vëllimi me poezi “Guxo mos më duaj prapë”

Ky libër vjen me një parathënie mjaft profesionale nga studiuesi Luan Topçiu. Si je ndier për këtë?

Sigurisht shumë mirë, kur merr vlerësime kritike nga një studiues i mirëfilltë letërsie, siç është Luan Topçiu. Ai e njeh mirë poezinë time, pasi së bashku me përkthyesin e mirënjohur, Marius Dobresku, kanë përkthyer në rumanisht librin “Vrima”.

Pse vendosët këtë titull?

Titullin e vendosi botuesi. Lidhet me vargun e fundit të poezisë sime “Hakmarrje fëmije”. Është një “kërcënim” i hapur, shumë i fortë, ku paralelet poetike shkojnë në raport me zemërimin, por dhe me nevojën jetësore të fëmijës për dashuri. Ajo nervozohet me kukullën e leckës, e cila nuk i jep as dashuri, as siguri, pasi i mungon ekuilibri dhe fortësia për të qëndruar në këmbë.

Thatë që ky libër i përket kolanës “Safo”. Ju kapni në poezitë tuaja një temë të gjerë të identitetit dhe të përvojës femërore. Pse drejt kësaj ideje?

Shiko, dëgjoj shpesh që poeti i mirë nuk ka gjini, nuk i dallohet gjinia. Nuk jam kundër kësaj, pasi një mesazh universal nuk është as femëror, as mashkullor. Shumica e poezive të mia janë të tilla. Por nuk vuaj as nga kompleksi, që kanë disa poete, se mos ngjaj si femër. Unë jam femër dhe truri im, do apo nuk do, komandon një trup me organe gjenitale femërore.

Instinktet e mia më tepër do të ngjasojnë me instinktet e një ujkonje apo luaneshe, sesa të një ujku apo të një luani. Nga ana tjetër, ka dhe letërsi të ashtuquajtur femërore, kur tematika është e një natyre të kufizuar dhe i drejtohet në një mënyrë komerciale apo të angazhuar vetëm botës femërore. Në këtë rast kemi të bëjmë me një letërsi brenda kornizave. Në poezinë time është individi në përgjithësi (dhe indirekt femra, gruaja) që përballet me dukuritë e jetës gjatë udhëtimit nga lindja në vdekje.

Shumica e këtyre ndjesive dhe përvojave janë të njëjta si për botën femërore, ashtu dhe për atë mashkullore. Ndaj poezia ime nuk ka tematikë femrën, gruan, problemet e saj; femra, gruaja janë boshti rreth të cilit sillet kozmosi.

Ju shkruani për jetën tuaj? Apo poezitë tuaja janë thjesht trillim?

Çdo ditë e jetës sonë duket sikur ikën, shuhet, po kështu dhe vitet, por në fakt ato janë shtresëzuar aty në trurin tonë. Të gjitha shkruhen aty me një majë të mprehtë, si një sizmograf që regjistron luhatjet e ndjesive dhe të mendimeve tona.

Mjafton të kesh durimin t’i deshifrosh, t’u nxjerrësh kuptimin. Dhe, në këtë rast, gjithkush e ndien se ti si shkrimtar je frymëzuar dhe udhëhequr nga imazhet e tua personale, për të shkruar historinë e tjetrit që është lexuesi. Po ndodh dhe e kundërta; ka shkrimtarë që shkruajnë historinë e dikujt tjetër, duke iu fshehur vetes.

Ata s’mund të jenë të dashur për lexuesin, pasi lexuesi s’mund ta gjejë veten te historia e tjetrit. Një lexues e gjen veten vetëm te historia e sinqertë e shkrimtarit. Arti vërtet është trill, sajim i shkrimtarit apo poetit, por nuk duhet të bjerë në nivelin e sajesës; e figurave dhe imazheve të kërkuara.

Te shumë autorë dhe poetë ekziston ideja se shpeshherë ata i kap një lloj “krize” me librat e tyre. Po ju si ndiheni në raport me ato që keni shkruar më parë dhe me ato që ende i keni dorëshkrim?

Disa nga poezitë e mia të librit të parë dhe të dytë i përkasin viteve të diktaturës, pra janë shkruar si një rebelim që kish ngritur krye brenda kufijve të trupit apo të trurit tim. Këtë mund ta vërtetojnë shumë miq të mi, të cilëve ua jepja të m’i lexonin në ato kohë. Dhe ata me shaka më thoshin që t’i mbaja të fshehura se do të kisha probleme.

Ndërsa unë i mbaja në sirtar, se as më shkonte mendja se do t’i botoja apo se isha e denjë për t’u quajtur poete. Duke qenë poezi kaq të virgjëra, ato janë shumë të denja për të analizuar botën femërore para dhe pas viteve ’90. E thashë dhe më lart, jo vetëm si femër, por dhe si individ i kam përjetuar dy periudhat para dhe postdiktatoriale.

Dhe kam zgjedhur t’i këndoj më tepër autocensurës sesa censurës. Se lufta më e madhe është ajo që bëjmë me veten dhe rrethin e ngushtë të njerëzve që jetojnë me ne. Në këto sfida, të qenit femër më ka ndihmuar.Kjo ëndërr merr forma të tjera në librat e tjerë me poezi. Edhe kur shkruaj sot, mbi kokë më rri mendimi që të mos përsëris se çfarë kanë thënë të tjerët, madje as çfarë kam shkruar më parë. Format e reja që zgjedhim kur shkruajmë libër të ri, duhet të ndikohen nga përvojat e reja ndjesore.

Edhe sikur tema të jetë e njëjtë, ndjeshmëritë dhe mënyrat e perceptimit nuk mund të jenë asnjëherë të njëjta. Kjo vetëdije më bën ta kapërcej atë “krizën” për të cilën më pyetët ju. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë