Gazeta Si – Një sasi eksplozivi ka shpërthyer në katin e parë të një hoteli në Sarandë mbrmëjen e të dielës.
Policia thotë se përveç dëmeve materiale nuk ka persona të lënduar. Mësohet se objekti që ka qenë në pronësi të Pajtim Yzeirit, i cili u vra në vitin 2001 në Spanjë.
Mësohet se Yzeiri nga Fieri u ekzekutua me prerje koke në Spanjë atë kohë për motive ende të pazbardhura.
Që prej asaj kohe, hoteli ka qenë në pronësi të të atit të viktimës, Norvuz Yzeri, i cili herë pas here në pamundësi për ta menaxhuar, e ka lënë me qira. Në vitin e fundit hoteli ishte nxjerrë në shitje.
Fisi Yzeri ka qenë në konflikte dhe hasmëri, pasi kanë pasur një sërë vrasjesh para dhe pas vitit 2001 ku humbi jetën Pajtimi.
Është e paqartë nëse kemi të bëjmë me larje hesapesh apo konflikte të tjera pronësie, ndërsa policia po heton shkaqet.
Zona është pa ndriçim dhe pa kamera sigurie, çka e bën të vështirë identifikimin e autorit/autorëve.
Shpërthimi me eksploziv ndodhi rreth orës 21:45 në katin e parë në hotel “Dea”. Ai ndodhet në zonën turistike të Kanalit të Çukës dhe pati vetëm dëme materiale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




