Ka ndodhur

“Krishti u ngjall”, besimtarët ortodoksë festojnë sot Pashkën

foto ilustruese per pashket

Besimtarët ortodoksë në mbarë vendin kremtojnë sot festën e Pashkës, një ndër ngjarjet më të rëndësishme në kalendarin e të krishterëve, e cila simbolizon ngjalljen e Jezu Krishtit.

Në Tiranë mesha u mbajt në katedralen “Ngjallja e Krishtit”, e cila drejtua nga kryepeshkopi Anastas Janullatos, i cili mbajti liturgjinë e shenjtë që u ndoq nga qindra besimtarë.

Kryepeshkopi dha mesazhet e tij për besimtarët ortodoksë në momentin e ringjalljes së Jezu Krishtit, tri ditë pas vdekjes i kryqëzuar, me shpresën se besimtarët do të mund të marrin dritë nga drita e Perëndisë.

Flaka e shenjtë është simboli i fitores mbi vdekjen dhe besimtarët i mbajnë të ndezur qirinjtë gjatë gjithë natës së Pashkës. Pas meshës besimtarët kryejnë edhe ceremoninë e thyerjes së vezët së Pashkëve.

Festimet e Pashkëve përpos meshës së madhe të së shtunës mbrëma, vijojnë edhe me drekën tradicionale të së dielës.

Mesazhi i kësaj dite të madhe tregon fitoren e jetës mbi vdekjen, e dritës mbi errësirën, e dashurisë mbi urrejtjen.

Kur kujtojmë Pashkën, nuk mund të veçojmë vezët e kuqe, e cila simbolizon jetën, ndërsa ngjyra e kuqe, sakrificën e birit të Perëndisë, Krishtit, i cili u kryqëzua për shpëtimin e të gjithë njerëzimit.

Urimet për më shumë begati dhe dritë në zemrat e besimtarëve nuk mund t’i mungojnë kësaj feste. “Krishti u ngjall, vërtet u ngjall”, është refreni i kësaj dite festive.

Politikanët urojnë Pashkët

Kryeministri Edi Rama u ka uruar besimtarëve pashkët ortodokse nëpërmjet një postimi në faqen e tij zyrtare në “Facebook”.

Edhe ish-kryeministri Sali Berisha ka uruar besimtarët të cilët kremtojnë ngjalljen e Krishtit si ngjarjen dhe mrekullinë hyjnore më të madhe në historinë e Krishtërimit.

Berisha shprehet se Pashkët janë ditë shprese dhe përjetësie.

Ndërsa, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, në një reagim në rrjete sociale shprehet se vetëm dashuria mes njëri-tjetrit është e gjithëpushtetshme mbi të keqen dhe rruga e duhur drejt paqes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë