Ka ndodhur

Aksidenton këmbësorin dhe përplas taksinë gjatë arratisjes nga policia (Video)

Gazeta Si – Një i ri është vënë në pranga në Tiranë, pasi nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar. Por gjatë tentativës për t’u larguar, ai aksidentoi një shtetas dhe përplasi një automjet në gjendje të dehur.

Në bulevardin “Gjergj Fishta”, policia konstatoi një automjet këtë të enjte, drejtuesi i të cilit nuk rregullonte shpejtësinë në zonat e banuara. Përveç kësaj, ai përdorte aparatin celular gjatë drejtimit të mjetit. 

Duke parë rrezikun që ky shtetas paraqiste duke drejtuar mjetin në mënyrë jo të rregullt, policia i ka bërë shenjë ndalimi, por drejtuesi nuk i është bindur dhe ka vazhduar lëvizjen. 

Gjatë tentativës për t’u larguar, ai ka aksidentuar 61-vjeçarin me iniciale D. B., në afërsi të shkollës “Vasil Shanto”, dhe më pas, në rrugën “Sulejman Delvina”, ka përplasur një mjet tip taksi dhe është larguar.   

Në afërsi të ish-sheshit “Shqiponja”, policia ka ndaluar automjetin, drejtuesi i të cilit, pas testit të alkoolit, ka rezultuar në gjendje të dehur.  

Policia thotë se arrestoi në flagrancë shtetasin D.Sh., 30 vjeç, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Largimi nga vendi i aksidentit”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Kundështimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë