Teater

Drejtori i TKOB/ Pas kërkesës së Zana Çelës, ministria shtyn afatin

Fotografi ilustruese per TKOB

Nga Gazeta Si - Ministria e Kulturës ka shtyrë afatin e dorëzimit të aplikimeve për postin e drejtorit të Përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Njoftimi është bërë në faqen e Ministrisë ndërsa më herët drejtoresha aktuale, Zana Çela, e cila kërkon një mandat tjetër, u shpreh se afati duhej shtyrë pasi me mbylljen e aplikimeve më 19 prill ministria kishte bërë shkelje.

Sipas MK, afati është deri më datë 6 maj.

“Duke marrë shkas nga kërkesat e vazhdueshme për informacion, për të gjithë të interesuarit, afati i aplikimit për pozicionin drejtor i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, shtyhet deri në datën 6 maj 2022”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.  

Zana Çela u emërua në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor në gusht të 2016, mandati i dytë i saj. Ajo erdhi në drejtimin e teatrit pas dorëheqjes së Ilir Kernit. Pak ditë më parë në një deklaratë për mediat, Çela konfirmoi rikandidimin për drejtoreshë e përgjithshme në TKOBAP , ndërsa e quajti konkursin diskriminues duke qenë se kriter për drejtorin e ri është edhe masteri shkencor në ekonomi.

Çela u shpreh se qeveria shqiptare e ka formatuar qartë, se çfarë kriteresh duhet të kenë titullarët në administratën e shtetit.

“Këto kritere nuk bien ndesh me CV-në time”, do të shprehej ndër të tjera Çela.

Ndërsa, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, u shpreh se kriteri është rekomandues jo përjashtues.

Më datë 29 mars, Ministria e Kulturës shpalli konkursin për pozicionin: Drejtor i Përgjithshëm në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor - Kategoria e pagës II-b, ku bëhej me dije se afati për dorëzimin e dokumenteve ishte deri më datë 19 të këtij muaji.

Në njoftim, ministria ka publikuar kriteret dhe kërkesat, ku mes tyre është dhe diploma e nivelit “Master Shkencor” në shkenca ekonomike ose menaxhim të artit kulturor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë