Gazeta Si - Dosja e Nuredin Dumanit është në dorë të SPAK-ut, pasi u dorëzua nga Prokuroria e Elbasanit. Nuredin Dumani, u arrestua në Fier disa ditë më parë, pasi mbeti i plagosur në një pritë në fshatin Papër.
Sipas hetimeve, ai vepronte si pjesë e grupeve kriminale e për këtë shkak është bërë përcjellja e akteve në Prokurorinë e Posaçme.
Dumani, i cili deri disa ditë më parë ishte një prej personave më të kërkuar në vend, akuzohet për një seri vrasjesh në Durrës dhe Elbasan.
I riu është marrë zyrtarisht i pandehur për vrasjen e vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia dhe të Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë, ngjarje këto të kryera në muajt mars-prill 2020 në Durrës, në bashkëpunim me Talo Çelën. Por sipas informacioneve paraprake, ai do të hetohet nga SPAK edhe për 6 vrasje të tjera.
Dumani dyshohet për vrasjen e Andi Zylyfit, Kevi Bahos dhe Bujar Çelës. Këto ngjarje po hetoheshin nga prokuroria e Elbasanit, por kjo e fundit një javë më parë shpalli moskompetencën.
Ai dyshohet se në bashkëpunim me ish-mikun e tij Talo Çela ka ekzekutuar Endrit Alibejn, xhaxhain e tij Arben Dylgjeri dhe një shtetas turk.
Organi i akuzës në Elbasan ka dyshime se mbrëmjen e 29 marsit, Nuredin Dumani ishte nisur për të kryer një vrasje, nisur edhe nga provat që u gjetën brenda automjetit të tij, tip "BMV X5".
Nuredin Dumanit iu dha masa 'arrest me burg', në spitalin e Traumës në Tiranë pas përplasjes me armë zjarri që dyshohet se pati me Talo Çelën në Papër të Elbasanit.
Edhe Gjykata e Elbasanit caktoi masën e sigurisë "arrest me burg" për Nuredin Dumanin, i akuzuar për vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës, në 17 shtator 2020 në një lokal në Bradashesh.
Nuredin Dumani u arrestua mbrëmjen e 29 marsit 2022, teksa ishte fshehur në një apartament në Fier, pak orë pas atentatit të ndodhur në Elbasan, ku dhe kishte mbetur i plagosur.
Pas plagosjes me armë zjarri, Dumani u mjekua nga dy mjekë të Fierit dhe një infermier, të cilët pas arrestimit, pretenduan se nuk kishin dijeni për të shkuarën e tij kriminale.
Mjekët Julian Mala, Ermal Gjeci dhe Bledar Berdalli, të cilët asistuan në mjekimin e 37-vjeçarit, kanë thënë se janë marrë në banesë nga një i njohur i përbashkët i Dumanit pa pasur dijeni se kush ishte. Megjithatë, Gjykata e Fierit, vendosi “detyrim paraqitje” për ta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.