Gazeta Si - Ish-deputeti socialist, Alqi Bllako, i arrestuar nga SPAK për aferën e inceneratorit të Fierit, kërkon të lirohet nga qelia.
Këtë të hënë, Bllako ka depozituar në Apelin e Posaçëm ankimin e vendimit për masën e sigurisë “arrest në burg”, të caktuar nga Shkalla e Parë për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe “korrupsionit”.
Në ankim, Bllako pretendon se nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprave penale prej tij dhe nuk ekzistojnë kushtet ligjore për një masë ekstreme, si ajo e “arrestit në burg”.
I arrestuar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, lidhur me aferën 4.9 milionë euro të inceneratorit të Fierit, ai ka mohuar akuzat që të ketë shkelur ligjin gjatë procedurës së ndjekur për dhënien e koncesionit për ndërtimin e tij.
Në dëshminë para grupit hetimor, Bllako ka mohuar që të ketë rol vendimmarrës te inceneratorët, duke thënë se ka pasur për detyrë vetëm të përcjellë shkresën për miratim te Këshilli i Ministrave.
Alqi Bllako u arrestua me urdhër të SPAK më 1 prill 2022. Sipas dosjes hetimore të SPAK, i mandatuari i PS në zgjedhjet e 25 prillit 2021, akuzohet për procedurën e shpronësimit të tokës arë ku do të ndërtohej incineratori i Fierit, me sipërfaqe 111 564 m2.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.