Gazeta Si – Për herë të parë pas dy vitesh, mesha e shenjtë e vigjilies së Pashkës për besimtarët katolikë u mbajt pas mesnatës së të dielës.
Besimtarë të shumtë u mblodhën në Katedralen e Shën Palit në Tiranë për të kremtuar Ringjalljen e Krishtit dhe për t’u lutur për më shumë mirësi.
Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkvi Metropolit Tiranë Durrës, i cili drejtoi edhe meshën bëri thirrje për të dashur edhe më shumë jetën në këto kohë të vështira. Ai foli për luftën në Ukrainë që është në ditën e 53-të të saj duke thënë se Krishti është ringjallur dhe i ka dhuruar jetën të gjithë refugjatëve, të dëshpëruarve që kanë braktisur vendin e tyre për shkak të pushtimit të forcave ruse.
“Në Shtëpinë e Zotit nuk ka nga ata që thonë unë jam më i mirë dhe ky është më pak i mirë se unë. Ju thotë Jezusi jeni vëllezër të gjithë, e keni vetëm një mësues, Krishtin, e një Hyjin Qiellor.
Të zhveshur prej këtyre ndjenjave e kategorive që shpesh herë na hedhin në zemër, mendje e në shpirt rrjetet sociale e mediat e të veshur me ndjenjat e Jezusit, i cili u lan këmbët të gjithë dishepujve pa dallim, atëherë vendosemi dhe ne në mendësinë e Krishtit të ringjallur në këtë Pashkë, për të bërë Pashkë e në Pashkët e këtij viti marrim vetëdije akoma më shumë se në vitet e kaluara të distancës që është mes britmave të gëzimit që shpallin Krishti është ringjallur nga të vdekurit e të gjithëve i ka dhuruar jetën dhe lajmeve të dhimbshme të luftës, të refugjatëve, të dëshpëruarve që me miliona kanë braktisur vendin e tyre në pak javë e që tingëllojnë me një mesazh tjetër, me mesazhin e hidhur të vdekjes.
Ndjejmë nevojën e këtij lajmi që na dëshmon se në të vërtetë vdekja nuk është faza finale e ekzistencës tonë njerëzore”, tha imzot Arjan Dodaj.
Arqipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit dha mesazh paqeje duke thënë se të gjithë duhet ta nisin pajtimin e kërkimin e faljes nga vetja duke bërë që bota të shihet në një perspektivë tjetër.
“Pra Krishti është garantuesi i dinjitetit të njeriut në çdo situatë e kundër çdo dëftimi të së keqes. Shën Gregori nënvizonte, është shfaqur një brezni tjetër, një jetë tjetër, një ndryshim i vetë natyrës sonë. Ti je në këtë botë, por nuk je i kësaj bote. Ti je kalimtar si të gjithë të tjerët, por për jetën e pasosur je për të dhënë dritë, vlera, pasuri, pajtim e paqe, të mos e pretendojmë këtë jetë, mos pretendo pajtim nga të tjerët, por ji ti pajtimi që pretendon. Mos kërko falje nga të tjerët, por jepe ti faljen që pretendon e mirëkuptimin dhe do të shohësh që bota që të rrethon është krejt një perspektivë tjetër”, tha Imzot Arjan Dodaj.
Pashka është kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të Kishës Katolike Romake dhe të kishave të tjera të krishtera që kremtojnë Ringjalljen e Jezusit të Nazaretit ndodhur, sipas Besëlidhjes së Re, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq.
Për festën e Pashkës, besimtarët shkëmbejnë dhe thyejnë vezët e lyera me ngjyrë të kuqe, simboli i jetës, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




