Ngjarje

Video/ Momenti i vrasjes së Nazmi Bandulës në Shkodër, krimi ndodhi për pak sekonda

Gazeta Si – Autorët e vrasjes së Nazmi Bandulës një ditë më parë në Shkodër kanë qëlluar 13 plumba nga breshëria e armës ndaj shënjestrës, ku 6 prej tyre i morën jetën në vend 55-vjeçarit.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 08:12 minuta në 12 prill dhe autorëve, sipas videos së siguruar nga Gazetasi.al, u janë dashur pak sekonda për ta kryer krimin.

Ata kanë përdorur një makinë tip “Mercedes Benz” me targa të vjedhura AA208ZS, të cilat i përkasin një automjeti tip “Toyota” në pronësi të një gruaje në Berat.

Sikurse shihet, automjeti ul shpejtësinë dhe hapet zjarr nga brenda mjetit ndaj Nazmi Bandulës, i cili ndodhet në një lokal për të pirë kafen e mëngjesit pranë shtëpisë së tij. Për asnjë çast autori nuk ka zbritur nga makina, por ka qëlluar nga dritarja e mjetit.

E gjithë dinamika e krimit zgjati thuajse 3 sekonda nga momenti kur autori hapi zjarr deri në ekzekutimin e Bandulës, i cili duket kur rrëzohet përtokë.

Ai ka qenë duke pirë kafe në lokalin pranë shtëpisë dhe sapo pa armën e drejtuar, tentoi të largohej, por nuk mundi të shpëtonte.

Rruga ka pasur qarkullim mjetesh dhe lëvizje këmbësorësh dhe sapo kanë dëgjuar të shtënat janë larguar me vrap.

Për fat të mirë, edhe klientët e lokalit kanë shpëtuar pa marrë asnjë plumb, gjë që të lë të kuptosh se autorët kanë qenë profesionistë. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se ata kanë qenë vrasës me pagesë.

Gjithashtu hetuesit kanë pyetur edhe familjarë të viktimës, por ata nuk kanë dhënë asnjë ndihmesë për hetimin.

Pista kryesore ku janë përqendruar hetimet janë larja e hesapeve, dhe përfshirja e viktimës në grupet kriminale, trafik narkotikësh dhe shfrytëzim prostitucioni. Para dy vjetësh, makinës së 55-vjeçarit, e cila ishte e parkuar, iu vendos tritol, si mesazh paralajmërimi ndaj Bandulës.

Atentati është filmuar nga një kamera sigurie në distancë, e cila nuk ka ndihmuar shumë hetuesit për zbulimin  e autorëve.

Autorët, sipas policisë ishin dy persona, një në sediljen e shoferit që drejtonte mjetin dhe tjetri pasagjer në rolin e ekzekutorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë