Politike

Rama shmang nga Berlini pyetjet për ‘non gratat’: I diskutojmë në Tiranë

Publikimi i vendimit të amerikanëve që shpallte non grata Aqif Rakipin dhe Ylli Ndroqin e gjeti Edi Ramën në një vizitë zyrtare në Berlin, ku i pyetur nga gazetarët e shmangu për momentin përgjigjen.

Interesimi i medias lidhej me emrin e Aqif Rakipit, djalin e të cilit Edi Rama e përfshiu në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, ku edhe u zgjodh deputet duke thyer herësin. Kryeministri premtoi se do të flasë, por nga Tirana.

“Të vijmë deri në Berlin për të folur për kandidatin e PS-së në Tiranë më duket pak e sforcuar, kështu që kalojmë tek pyetja tjetër. Këto janë pyetje që i takojnë katundit tonë të përbashkët dhe kur të rikthehemi në katund do t’i diskutojmë këto në lokalin e katundit tonë”, deklaroi Rama.

Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi të hënën vendimin për sekuestrimin e pasurive të Aqif Rakipit dhe Ylli Ndroqit në SHBA, ose institucionet amerikane që veprojnë jashtë SHBA. Vendimi detyron këto institucione, publike e private që të raportojnë për çdo pasuri të këtyre dy personave.

Ndërkohë, në një reagim pas këtij vendimi, djali i Aqif Rakipit, deputeti Orlando Rakipi tha se babai i tij ishte ‘super i pastër’. Ai shprehu gatishmërinë që të hiqte dorë edhe nga mandati i deputetit.

“Babai im është super i pastër. Nuk kemi lidhje te ajo pjesë. Nuk e kuptoj atë kriminal. Jam i gatshëm të jap dorëheqjen. Babai im është super i pastër. Babai im edhe nga politika ka ikur për diçka skandaloze”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë