Biznesmeni Ylli Ndroqi ka reaguar për vendimin që dha Departamenti i Thesarit të SHBA-ve, ku ai u shpall person "non grata" bashkë me 7 zyrtarë të tjerë.
"Kam respektuar ligjet e Republikës së Shqipërisë duke kontribuar për ekonominë e vendit. Vlerësoj të ndaj me publikun faktin se nuk kam mbajtur asnjë pozicion në administratën shtetërore.Unë besoj fort tek organet e drejtësisë dhe prej 2 vitesh po mbroj të vërtetën time para Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe kam besim që ajo do të vendosë si një gjykatë e pavarur dhe e krijuar me ligj", ka shkruar Ndroqi.
Ai thotë se ka qenë mbështetës i reformave të kryera në vend duke përfshirë Reformën në Drejtësi dhe mbështetës i interesave të SHBA në vend dhe më gjerë.
"Unë besoj në vlerat mbi të cilat janë krijuar dhe funksionojnë SHBA, të cilat janë universale. Po ashtu, duke vlerësuar që ky vendim është marrë mbi bazën e informacioneve të gabuara, duke besuar fort në drejtësinë e vendimmarrjes së institucioneve të SHBA, do të përdor të drejtën time për të kërkuar heqjen e emrit nga lista duke vënë në dispozicion të autoriteteve çdo informacion që ato të kenë nevojë", thuhet në reagimin e Ndroqit.
Ai ka shtuar më tej se sipas legjislacionit amerikan vendosja e emrit në këtë listë është e rishikueshme dhe nuk ka të bëjë me asnjë nga rastet e mëparshme në Shqipëri.
Ndroqi thekson se ka besim që ky vendim do të rishikohet dhe emri do të hiqet nga kjo listë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.