Ish-deputeti i PDIU-së për qarkun e Elbasanit që më pas kaloi tek grupit parlamentari PS-së Aqif Rakipi dhe biznesmeni Ylli Ndroqi janë shpallur “non grata” nga DASH e për pasojë u janë bllokuar edhe pasuritë e tyre ne SHBA.
“Sot, Zyra e Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) përcaktoi shtatë individë dhe një ent në katër vende të Ballkanit Perëndimor, bazuar në Urdhrin Ekzekutiv. Ky është vendimi i dytë që OFAC ka ndërmarrë që shënjestron persona të cilët kërcënojnë stabilitetin e rajonit përmes korrupsionit, aktivitetit kriminal dhe sjelljeve të tjera destabilizuese. Vendimi i sotëm përforcon përkushtimin e Thesarit për të nxitur llogaridhënien për aktorë të përfshirë në sjellje destabilizuese dhe korruptive në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Të tilla sjellje korruptive minojnë sundimin e ligjit dhe rritjen ekonomike, si dhe iu mohon njerëzve në këto vende mundësi dhe stabilitet”, thuhet në deklaratën zyrtare të Departamentit të Thesarit.
“Personat e përcaktuar sot përbëjnë një kërcënim serioz për stabilitetin rajonal, besimin në institucione dhe aspiratat e atyre që kërkojnë qeverisje demokratike dhe të shëndoshë në Ballkanin Perëndimor”, tha Nën-Sekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian E. Nelson.
“Lufta kundër korrupsionit në mbarë botën është përparësi kryesore e administratës Biden-Harris dhe Thesari nuk do të ngurrojë të përdorë të gjitha mjetet që kemi në dispozicion për të mbajtur përgjegjës aktorë të korruptuar dhe destabilizues”.
Si pjesë e këtij vendimi, Departamenti i Shtetit përcakton atë që rëndom njihet si ndalim i vizave. Departamenti i Shtetit përcakton në sanksione gjithashtu edhe pjestarët e familjes së tyre të ngushtë.
Ky vendim i bën ata dhe pjestarët e familjes së tyre të ngushtë të pakualifikuar për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.
"Krimi i organizuar mbetet një kërcënim domethënës në Shqipëri dhe aktorët kriminalë vazhdojnë të kenë ndikim në politikën shqiptare, duke përdorur para dhe dhunë për mbështetje drejt kandidatëve të preferuar".
“Aqif Rakipi (Rakipi) është një ish-deputet nga Elbasani, i cili ka ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri.
Grupe të shumta të krimit të organizuar (GKO) në Shqipëri kanë ofruar para, dhurata ose premtime për vende pune apo lëshime në këmbim të votave për partinë e tyre të preferuar politike. Rakipi ka qenë prej kohësh i përfshirë në krimin e organizuar dhe është i lidhur ngushtë me një Grup Krimi të Organizuar, brenda të cilit ai ka ushtruar ndikim politik, perfshire edhe korrupsionin. Për shembull, Rakipi ka përdorur ndikimin e tij politik për të emëruar miqtë e tij në pozicione kyçe publike në Elbasan dhe Tiranë. Rakipi humbi mandatin e tij si deputet i parlamentit të Shqipërisë pasi prokurorët konfirmuan rolin e tij në veprimtari kriminale nën një pseudonim”, thuhet në deklaratë.
Ai përcaktohet si, “përgjegjës ose bashkëpunëtor në ose për përfshirje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në korrupsion lidhur me një qeveri, apo një zyrtar aktual ose qeveri të kaluar, në çfarëdo niveli të qeverisjes, siç është përvetësimi i pronave publike, shpronësimi i pronave private për përfitime personale ose qëllime politike, apo ryshfete”.
“Ylli Ndroqi (Ndroqi) është një pronar mediash, pasuritë e të cilit u sekuestruan nga qeveria shqiptare në vitet 2020 dhe 2021 për veprimtari të mëparshme kriminale. Ndroqi ka shfrytëzuar mediat që më parë kanë qenë nën kontrollin e tij për të zhvatur dhe shantazhuar qytetarë shqiptarë nëpërmjet kërkesave për para dhe blerjeve të reklamave në këmbim të mospublikimit të artikujve negativë në media.
Gjithashtu, Ndroqi ka ndërmjetësuar ryshfete për llogari të një subjekti që kërkonte të bënte biznes në Shqipëri. Ndroqi përcaktohet si përgjegjës ose bashkëpunëtor në ose për përfshirje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në korrupsion në emër të, ose të lidhur me një qeveri apo një zyrtar aktual ose qeveri të kaluar, në çfarëdo niveli të qeverisjes, siç është përvetësimi i pronave publike, shpronësimi i pronave private për përfitime personale ose qëllime politike, apo ryshfete”, thuhet në deklaratë.
Pas përcaktimeve të Thesarit në 5 janar 2022 për Milorad Dodik Thesari i Shtetit përcaktoi edhe dy zyrtarë të tjerë të korruptuar në Bosnje-Hercegovinë; Asim Sarajlic (Sarajlic) deputet në parlamentin e Bosnje dhe Hercegovinës (BiH) dhe deri vonë një zyrtar i lartë i Partisë së Aksionit Demokratik (SDA) në Bosnjë-Hercegovinë dhe Gordana Tadiç (Tadic) që ka shërbyer si Kryeprokurore e Prokurorisë së Shtetit të BiH nga viti 2019 deri në 2021. Në vitin 2021, ajo u hoq zyrtarisht nga pozicioni i saj nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe i Prokurorisë.
Tadiç raportohet se përdori pozicionin e saj si Kryeprokurore për të nxitur interesat e saj personale dhe familjare.
Svetozar Marovic është emri i Malit të Zi i shpallur non grata. Ai ka qenë President i shtetit të përbashkët të Serbisë dhe Malit të Zi nga viti 2003 deri në 2006 dhe shërbeu si ish-zëvendës president i Partisë Social Demokrate të Malit të Zi (DPS) deri në vitin 2015. Marovic u arrestua nga autoritetet malazeze në 2015 në bazë të dyshimeve për përfshirje në raste korrupsioni në shkallë të gjerë lidhur me projektet e ndërtimit në bashkinë e Budvës. Prokurorët malazezë e akuzuan Marovicin se përdori ndikimin e tij si zyrtar i lartë në DPS për të miratuar një sërë blerje pronash dhe ujdish ndërtimi, të cilat sollën përfitime të mëdha për disa kompani, por shkaktuan humbje të konsiderueshme për qeverinë vendore.
Nga Maqedonia e Veriut Nikola Gruevski është shpallur non grata nga DASH si i dënuar dhe mbetet i dyshuar në disa çështje korrupsioni. Ai është akuzuar për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe vepra të tjera penale të lidhura me kohën e tij si Kryeministër i Maqedonisë së Veriut nga viti 2006 deri në vitin 2016. Ai e ka shmangur vazhdimisht arrestimin e vet për dënimin e vitit 2018 nga një gjykatë në Maqedoninë e Veriut për akuza të lidhura me korrupsionin, gjë e cila paraqet një pengesë serioze për llogaridhënien për korrupsionin dhe aktivitetet e lidhura me korrupsionin në Maqedoninë e Veriut.
Sasho Mijalkov është ish-shefi i kundërzbulimit në Maqedoninë e Veriut i shpallur edhe ai non grata.
Mijalkov dyshohet se ka qenë i përfshirë në një skemë të manipulimit të votave dhe një operacion të gjerë përgjimi të paligjshëm që shënjestroi 20,000 njerëz, përfshirë politikanë të opozitës, gjyqtarë dhe gazetarë, që siguroi përfitime politike dhe ekonomike dhe që nxiti një krizë politike dyvjeçare në vend duke zbuluar ndërhyrjen e pretenduar të qeverisë në gjyqësor, kontrollin mbi disa media dhe ndërhyrjen në zgjedhje.
Si rezultat i vendimit të së henës, të gjitha pronat dhe interesat në prona të individëve ose subjekteve të përcaktuara që ndodhen në Shtetet e Bashkuara ose në zotërim apo kontroll të personash të SHBA, do të bllokohen. Rregullat ndalojnë të gjitha transaksionet nga qytetarët amerikanë ose qytetarët brenda (ose që kalojnë tranzit) Shteteve të Bashkuara që përfshijnë prona ose interesa në prona të personave të përcaktuar ose përndryshe të bllokuar.
Personat e SHBA mund të përballen me ndëshkime civile ose penale në këtë rast
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.